Deputetja Osmani lë të hapur mundësinë e votimit kundër demarkacionit

14:09 | 12 Korrik 2016

Vjosa Osmani

Deputetja e LVV-së Donika Kadaj-Bujupi tha se ratifikimi i demarkacionit pritet të shkojë në Kuvend këtë javë.

“Këtë javë do të jetë për ratifikim, po vijnë informata zyrtare,” tha Kadaj-Bujupi për gazetarët pas mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane.

Ajo marrëveshjen e demarkacionit të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015 e cilësoi precedent për përcaktimin e vijës kufitare me Serbinë në të ardhmen.

Kadaj-Bujupi tha se ratifikimi do të kundërshtohet nga “Vetëvendosja”.

“Ne do të jemi aty me të gjitha format që ta ndalim. Do t’i përdorim të gjitha format,” paralajmëroi Kadaj-Bujupi.

Edhe deputetja e LDK-së Vjosa Osmani foli në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin.

E cilësoi një gjë të ngutshme ardhjen në Kuvend të ratifikimit me anë të një seance të jashtëzakonshme.

“Po në qoftë se mendohet të procedohet me seancë të jashtëzakonshme është me nguti. Përndryshe janë gati një vit me vonesë. Pa kurrfarë arsye përmbajtja është mbajtur larg deputetëve,” tha Osmani.

Deputetja e LDK-së e konsideroi përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi një çështje profesionale të kthyer pa pikë nevoje në çështje politike.

Ajo tha se sa herë nuk ka pasur mundësi ta analizojë ndonjë material të caktuar, nuk ka votuar atë kur ka ardhur në Kuvend.