Deputeti i LDK-së kritikon politizimin e tragjedive dhe ngre alarmin për gjendjen e rrugëve

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ermal Sadiku ka shkruar në lidhje me përdorimin e rasteve tragjike për luftë politike, shfrytëzimi i të cilave ka thënë se është i ulët dhe i pamoralshëm. Ai ka thënë se këtë e ka bërë Albin Kurti për vite të tëra, por që sipas tij gjeneratat e reja në politikë…

Lajme

15/06/2026 15:33

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ermal Sadiku ka shkruar në lidhje me përdorimin e rasteve tragjike për luftë politike, shfrytëzimi i të cilave ka thënë se është i ulët dhe i pamoralshëm.

Ai ka thënë se këtë e ka bërë Albin Kurti për vite të tëra, por që sipas tij gjeneratat e reja në politikë nuk duhet të sillen si ai dhe nuk duhet të binë në nivel të tij, por që të kenë integritet dhe moral.

“Por, përtej kësaj, gjendja e rrugëve në Kosovë nuk është e mirë. Mungon sinjalistika. Në shumë vende mungojnë vijat e bardha. Ka dhe, zhavorr e rërë në rrugë, të rënë nga kamionët apo nga rrëshqitjet e dheut, që e vështirësojnë frenimin dhe e rrisin rrezikun për aksidente. Ka mungesë ndriçimi dhe mungesë të dritave anësore në segmente të shumta rrugore. Të gjitha këto, pa marrë parasysh se cilës parti i takon apo kë voton, duhet të jenë prioritet absolut”, ka thënë Sadiku.

Ai ka kërkuar nga opozita që të jenë më të zëshëm për këto çështje.

“Qytetarët na kanë votuar për t’u dhënë zë kërkesave dhe shqetësimeve të tyre. Me statuse, me video, në televizione, por edhe përmes protestave dhe aktiviteteve politike kur është e nevojshme. Siguria në rrugë nuk është çështje partiake. Është detyrim ndaj çdo qytetari”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/