Cassis për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Nuk është vendim politik, Zvicra i pranon vendimet e gjykatave

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka komentuar vendimin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim të gjykatës dhe jo për një vendim politik. Gjatë një konference të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Glauk Konjufca, Cassis është pyetur lidhur me…

Lajme

05/11/2026 14:53

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka komentuar vendimin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim të gjykatës dhe jo për një vendim politik.

Gjatë një konference të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Glauk Konjufca, Cassis është pyetur lidhur me vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, transmeton lajmi.net.

Kryediplomati zviceran ka thënë se shteti i tij mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe respekton vendimet e gjykatave, duke shtuar se nuk e sheh si të përshtatshme komentimin e tyre.

“Zvicra i mbështet gjykatat ndërkombëtare dhe Zvicra i pranon vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe nuk i komenton këto vendime. Sepse është vendim i gjykatës dhe nuk është vendim politik, prandaj Zvicra i pranon këto vendime”, deklaroi Cassis.

Deklarata e tij vjen pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth gjashtë vjet dhe që është përcjellë me reagime e kritika të shumta në Kosovë, përfshirë shqetësimet e ngritura lidhur me transparencën e procesit dhe pranimin e provave të paraqitura nga Serbia.

Ndërkaq, Zvicra përmes kësaj deklarate ka ritheksuar qëndrimin e saj për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, pa ndërhyrë në vlerësimin e përmbajtjes së tyre./lajmi.net/