Dënohen me burg dhe me gjobë dy të akuzuarit për narkotikë

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, ka shpallur fajtorë dy të akuzuarit për narkotikë, Abedin Bytyqi dhe Enver Cenaj.

Lajme

13/11/2017 16:03

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, i akuzuari Bytyqi, është dënuar me dy vjet burgim dhe me 2000 euro gjobë.

Po ashtu, Bytyqit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskim i veturës “Audi A4” dhe narkotikëve të sekuestruar, përkatësisht rreth 55 kg mariuhanë.

Kurse, i akuzuarit Cenaj, është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim si dhe me gjobë në lartësi prej 2000 eurosh.

Të akuzuarve në dënimin me burgim, do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 31 tetor 2016, deri më tani.

Gjykata ka vendosur që të akuzuarin Bytyqi, ta lirojë nga masa e paraburgimit, ndërsa për të akuzuarin tjetër, Enver Cenaj, u vendos që të mbetet në paraburgim, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

I akuzuari Bytyqi, fillimisht e kishte pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohej, në shqyrtimin fillestar të 5 korrikut, mirëpo në seancën e 1 nëntorit të këtij viti, ishte deklaruar i pafajshëm.

Në shqyrtimin e kaluar të mbajtur më 9 nëntor, Bytyqi e kishte pranuar përsëri fajësinë, ndërsa i akuzuari Cenaj që në fillim ishte deklaruar i pafajshëm.

Ndryshe, sipas aktakuzës së prokurorisë të ngritur në maj të këtij viti, Abedin Bytyqi dhe Enver Cenaj akuzohen për veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Policia kishte ndaluar veturën të cilën ishte duke e vozitur i akuzuari Bytyqi, dhe kishte sekuestruar tre valixhe dhe dy thasë najloni të mbushura me substancën e dyshuar si marihuanë me peshë të përgjithshme 55.60 kg. Ndërsa, i akuzuari Enver Cenaj kishte qenë duke e pritur të akuzuarin Bytyqi, për ta shpërndarë substancën narkotike.

Në procesin e ekzaminimit të këtyre substancave, prokuroria është duke pretenduar se i janë gjetur edhe gjurmët e gishtërinjve edhe të akuzuarit të tretë, Arlind Germizi, i cili tashmë gjendet në arrati./Betimiperdrejtesi/