Dëmtoi pajisjet në sallën e Asamblesë në Prishtinë, Prokuroria kërkon arrest shtëpiak ndaj Gëzim Sveçlës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë Gëzim Sveçla. Sipas Prokurorisë, kjo kërkesë është bërë si masë për sigurimin e prezencës së tij në procedurë penale, shkruan lajmi.net.  “Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se prokurori i rastit…

Lajme

11/12/2024 11:26

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë Gëzim Sveçla.

Sipas Prokurorisë, kjo kërkesë është bërë si masë për sigurimin e prezencës së tij në procedurë penale, shkruan lajmi.net. 

Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, ju njoftojmë se prokurori i rastit në këtë çështje penale ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të veprës penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321 i KPRK-së, si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit, si masë për sigurimin e prezencës së tij në procedurë penale dhe se do të ndërmerren me kohë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për lajmi.net. 

Gëzim Sveçla të hënën në sallë e Kuvendit Komunal të Prishtinës ka dëmtuar pajisjet e sallës pasi është votuar buxheti për vitin 2025.

Ai pas veprimit ka thirrur konferencë për media ku ka njoftuar se është ftuar nga Policia e Kosovës për të dhënë detaje për rastin.

Sveçla përmes një postimi në Facebook, të hënën ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë.

“Unë mbiemrin e kam ‘Sveçla’, dhe nga një aksion simbolik që bëra, po më dërgojnë në mbajtje 48h. Por, kjo ndoshta është edhe Kosova që po e ëndërrojmë, pavarësisht mbiemrave të jemi të gjithë të barabartë. A jemi nuk e di?’, pati shkruar Sveçla në rrjete sociale.

Sipas tij, ky veprim i tij ishte “për të shpërfaqur një Pazar të madh në Prishtinë”. /Lajmi.net/