Deliu-Kodra: S’mundet dikush që i ka resurset e shtetit t’ia vendosë kujtdo dhe pastaj të mos jetë e barabartë me partitë e tjera
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se mungon vullneti politik mbipartiak për të ndaluar përdorimin e parasë publike për qëllime elektorale. Në tryezën e diskutimit për Nismën Legjislative Qytetare lidhur me përgjegjësinë penale të përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD),…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se mungon vullneti politik mbipartiak për të ndaluar përdorimin e parasë publike për qëllime elektorale.
Në tryezën e diskutimit për Nismën Legjislative Qytetare lidhur me përgjegjësinë penale të përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Deliu-Kodra ka theksuar se është e papranueshme që të ndahen mjete dy ditë para zgjedhjeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ajo ka vlerësuar se vendimet që i ka marrë Qeveria kanë qenë të padrejta, ndërsa mënyra se si Qeveria ka vendosur të ndajë paratë në situatën e balotazhit të zgjedhjeve, përbën një interferim të pashoq.
“Nuk mundet dikush që i ka resurset e shtetit t’ia vendosë kujtdo dhe pastaj me partitë e tjera të shtetit të mos jetë e barabartë”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Deputetja ka sjellë shembuj konkret të ndarjeve të mjeteve publike në prag të proceseve zgjedhore, duke theksuar se raste të tilla cenojnë barazinë e subjekteve politike dhe kërkojnë përgjegjësi penale.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të mërkurën me mbështetje të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, organizoi tryezën e diskutimit “Përgjegjësia penale e përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale”, në kuadër të së cilës u publikua edhe analiza e IKD-së me të njëjtin titull.
Në këtë aktivitet, diskutohen gjetjet e analizës, si dhe Nisma Legjislative Qytetare për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal, e mbështetur nga mbi 12 mijë qytetarë, në pjesën që synon përcaktimin e përgjegjësisë penale për përdorimin e parasë dhe burimeve publike për përfitim elektoral.