Deliu-Kodra i kërkon Gërvallës procedimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara: Sille ligjin

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka kërkuar ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, që të procedojë në Qeveri Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në një postim në Facebook, Deliu-Kodra ka theksuar se 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha partitë politike, janë bashkuar përmes votës së tyre…

Lajme

28/09/2026 17:29

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka kërkuar ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, që të procedojë në Qeveri Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një postim në Facebook, Deliu-Kodra ka theksuar se 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha partitë politike, janë bashkuar përmes votës së tyre në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe katër ish-krerëve të saj që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Ajo i ka bërë thirrje Gërvallës që të mos e zvarrisë procesin, por ta procedojë Projektligjin në Qeveri, në mënyrë që i njëjti të dërgohet në Kuvend për votim.

“Mos e zvarrit Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kuvendi dhe deputetët e bënë pjesën e tyre. E dëshmuan vullnetin politik me votë. Bëje edhe ti pjesën tënde si Ministre e Drejtësisë: procedoje Projektligjin në Qeveri, që ai të vijë menjëherë në Kuvend për votim”, ka shkruar ajo.

Deliu-Kodra ka thënë se “deklarata është zotim, ndërsa ligji është veprim”, duke kërkuar që procesi të mos bllokohet.

Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se nëse vendi shkon në zgjedhje pa iu dhënë Kuvendit mundësia për ta votuar këtë Projektligj, “përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”.

Në fund të postimit, deputetja e PDK-së i është drejtuar drejtpërdrejt ministres Gërvalla me thirrjen: “Sille ligjin, Donikë!”. /Lajmi.net/