Deklarata të nxehta, prova të ftohta – Prokuroria Speciale i demanton pretendimet e presidentes Osmani për “gazetarët e Radoiçiqit” dhe Llabanin

Deklaratat e bujshme të presidentes Vjosa Osmani, që ngjallën shqetësim në opinion dhe në komunitetin mediatik, janë hedhur poshtë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Institucioni i drejtësisë ka bërë të ditur se asnjë gazetar nuk është nën hetim, duke mohuar kështu pretendimet e Osmanit për përfshirje të “disa gazetarëve” në veprimtari të kundërligjshme e bashkëpunim…

Lajme

11/09/2025 23:14

Deklaratat e bujshme të presidentes Vjosa Osmani, që ngjallën shqetësim në opinion dhe në komunitetin mediatik, janë hedhur poshtë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Institucioni i drejtësisë ka bërë të ditur se asnjë gazetar nuk është nën hetim, duke mohuar kështu pretendimet e Osmanit për përfshirje të “disa gazetarëve” në veprimtari të kundërligjshme e bashkëpunim me Millan Radoiçiqin.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, i tha RTV21 se nuk ekziston asnjë procedurë hetimore e hapur ndaj ndonjë gazetari, transmeton lajmi.net.

“Asnjë gazetar nuk është nën hetim nga Prokuroria Speciale dhe nuk ka asnjë rast të hapur që përfshin gazetarët. Prokuroria Speciale vazhdon të veprojë në përputhje të plotë me ligjin, duke ruajtur pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin në çdo rast”, tha Luta.

Kjo deklaratë vjen pak ditë pasi presidentja Osmani, përmes një postimi dhe më pas një deklarate publike, insinuoi se sipas informacioneve të institucioneve të sigurisë, disa persona që “quhen gazetarë” janë përfshirë në plane destabilizuese dhe veprimtari të lidhura me grupin e Radoiçiqit.

Por “goditja” nga Prokuroria Speciale nuk ndalet me kaq. Edhe një tjetër pretendim i hedhur nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës – për rrezikun që gjoja paraqet gjyqtari kushtetues Radomir Llaban – është demantuar nga i njëjti institucion. Përmes një përgjigjeje për “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion, raport apo provë të pranuar nga ndonjë institucion për Llabanin.

“Sipas regjistrit të Prokurorisë Speciale nuk është evidentuar asnjë rast lidhur me personin për të cilin keni adresuar pyetje”, thuhet në reagimin zyrtar.

Presidenca dhe Qeveria pretendonin se Llaban është “mik i ngushtë i Millan Radoiçiqit” dhe bashkëpunëtor i shërbimit sekret serb BIA, duke u thirrur në “informacione të AKI-së”. Por Prokuroria nuk ka marrë asgjë për ta trajtuar si çështje penale.

Në mungesë të provave dhe hetimeve konkrete, retorika alarmiste e presidentes Osmani duket se është përplasur me murin e fakteve. Huqjet e tilla, përveçse dëmtojnë besueshmërinë institucionale, rrisin edhe shqetësimin për përdorimin politik të diskursit të sigurisë dhe drejtësisë./lajmi.net/