Deklarata e Trump-it për Kosovën mirëpritet nga analistët në vend, por thonë se Kosova nuk është gati për çfarë do vendimi që mund të marr ai

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka rikthyer përsëri vëmendjen e tij dhe të administratës së tij drejt Kosovës dhe Serbisë, saktësisht marrëdhënieve mes tyre të cilat i ka përshkruar si të “përshkallëzuara”. Përmes një postimi në rrjetin “Truth Social”, Trump ka thënë se në mandatin e tij të parë ka parandaluar…

Lajme

18/06/2025 21:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka rikthyer përsëri vëmendjen e tij dhe të administratës së tij drejt Kosovës dhe Serbisë, saktësisht marrëdhënieve mes tyre të cilat i ka përshkruar si të “përshkallëzuara”.

Përmes një postimi në rrjetin “Truth Social”, Trump ka thënë se në mandatin e tij të parë ka parandaluar një shpërthim të një lufte mes Kosovës dhe shtetit fqinj, Serbisë.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”, ka shkruar Trump në Facebook.

Kjo deklaratë e tij, ka lënë të nënkuptoj që Trump dhe SHBA-të mund të merren përsëri me Kosovën, saktësisht me marrëveshjen e Uashingtonit të 2020-tës, draftin e Asociacionit e tema të tjera të rëndësishme në raportin mes dy shteteve.

Diplomati dhe ish ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana në një prononcim për lajmi.net ka thënë se këto deklarata të Trump-it duhet të merren seriozisht, duke marrë parasysh gjendjen në të cilën gjendet Kosova dhe bota në përgjithësi.

Ai ka thënë se kjo deklaratë e Trump-it ka ardhur në një kohë kur Kosova ka mungesë të institucioneve, e sipas tij Qeveria në detyrë nuk ka mundësi kushtetuese që të ndërmarr ndonjë veprim nëse do të ketë ndonjë veprim nga administrata Trump.

“Unë mendoj që Kosova deri më tani jo vetëm se ka ndërtuar mjaftueshëm marrëdhënie dypalëshe por në fakt ka shkatërruar marrëdhëniet ekzistuese tradicionale mes Kosovës dhe SHBA-ve, duke shkatërruar nukleusin e asaj marrëdhënie e cila ishte tradicionale posaçërisht nga koha e luftës e deri te ardhja e kryeministrit Albin Kurti. Pra sot, Kosova është e sanksionuar nga SHBA-të si dhe është për herë të parë jashtë paketës të lobimit zyrtar të SHBA-ve sa i përket Kosovës, pra ne jemi përjashtuar nga ajo pako. Kjo është hera e parë që ka ndodhur që nga lufta apo çlirimi i Kosovës, andaj mendoj që si asnjëherë më parë zgjatja e themelimit të institucioneve është një veprim kundër interesave kombëtare shtetërore të Kosovës, dhe kjo lojë që po ndodh politike e kryeministrit Kurti për arsye meskine personale populiste, në Kuvend sikur që ka dëmtuar në këto pesë vitet e qeverisjes Kurti Kosovën, tani po e vendos Kosovën në një situatë shumë delikate, të rrezikshme e cila mund të qoj Kosovën drejt një përfundimi me pasoja të rrezikshme gjeopolitike”, ka thënë Cana.

Ai gjithashtu ka thënë se Kosova gjendet në një situatë të paprecedentë, e izoluar ndërkombëtarisht dhe me një ekonomi të shkatërruar, e për të cilën e ka fajësuar Qeverinë Kurti.

“Pavarësisht kush është në Shtëpi të Bardhë, aleati dhe miku i Kosovës janë SHBA-të. Ishte po ky kryeministër që kishte kritikuar presidentin Trump dhe lavdëruar presidentin Biden, dhe kishte përfunduar në fund i izoluar nga presidenti Biden dhe administrata e tij. Pra, raporti Kosovë-Amerikë varet se kush është në zyrën e kryeministrit në Kosovë dhe jo kush është President i SHBA-ve, sepse Kosova e ka aleatin e saj por veprimet e Kosovës determinojnë raportin dhe kualitetin e raporteve diplomatike. Andaj, nuk kemi pse të frikësohemi nga Presidenti Trump por ne e kemi obligim t’i themelojmë institucionet të cilat do t’i përgjigjen nevojave të kohës sa i përket marrëveshjes të cilën presidenti Trump mund ta shtyj dhe ne e kemi obligim ndaj shtetit të Kosovës sa më shpejtë”, ka shtuar diplomati kosovar.

Ai ka thënë se ata apo ai që bllokon themelimin e institucioneve “është armik në sensin e interesit nacional dhe gjeopolitik”.

Në lidhje me deklaratën e Trumpit për Kosovën, për lajmi.net është deklaruar edhe analistja politike, Magbule Shkodra e cila ka thënë se përmendja e Kosovës nga Trump, është shumë me rëndësi për Kosovën, ndonëse kjo nuk ishte një vëmendje që jemi mësuar ta shohim.

Në lidhje me deklarimin e presidentit të SHBA-ve se ka arritur ta ndaloj një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, Shkodra për lajmi.net ka thënë se sukses i madh i tij ishte që arriti t’i ul në zyrën ovale përfaqësuesin e Kosovës dhe të Serbisë e që edhe u arrit njohja e Kosovës nga Izraeli.

“Ishte një sukses, dhe shto kësaj edhe një marrëveshje e cila më shumë kishte objektiva ekonomike. Fatkeqësia është që ajo marrëveshje më nuk vazhdoi të implementohet dhe pastaj të monitorohet se çka ndodhi me atë, kështu që besoj që ka pasur një ndikim pozitiv presidenti Trump edhe në atë periudhë”, ka thënë Shkodra e cila gjithashtu për marrëveshjen e Uashingtonit ka thënë se nëse do të implementohej do të kishte përfitime për Kosovën dhe për Serbinë.

Për termin e përdorur nga Trump “parandalim konflikti”, Shkodra ka thënë se jo çdoherë kur flitet për konflikte nuk flitet për konflikte luftarake por mund ta ketë përdorur për konflikte politike.

“Unë po besoj që Trump do të kthehet përsëri edhe tek marrëveshja e Uashingtonit pasi që ishte një sukses i tij dhe besoj që do të kërkoj një përgjegjësi dhe një implementim të saj, por mos të përjashtojmë mundësinë që ndoshta do të ketë edhe një ofertë të re për palën tonë, për shtetin tonë të Kosovës dhe për Serbinë. Këtë po e them duke pas parasysh të gjitha rrethanat gjeopolitike dhe ndryshimet e mëdha që po i shohim çdo ditë. Këto rrethana gjeopolitike mund të ndikojnë që presidenti Trump të ndërmarrë hapa më të shpejtë, në mënyrë që të tregoj që po e arrin një sukses në normalizimin e raportit Kosovë-Serbi”, ka thënë Shkodra.

Në lidhje me një normalizim të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, Shkodra ka thënë se do të ishte mirë nëse do të ndodhte një njohje reciproke, që Serbia ta njeh shtetin e Kosovës ndërsa sa i përket asociacionit, ajo ka thënë se kjo nuk është risi dhe se është çështje me të cilën do të përballet kushdo që do të jetë kryeministër i Kosovës.

“Pritjet e mia janë që ne të kemi një koncensus politik në mes të të gjithë akterëve, liderëve politik të Kosovës të ulen sa më shpejtë dhe të ndërtojnë një platformë unike, në mënyrë që në momentin kur Presidenti Trump me administratën e tij ofrohet me propozim edhe ne të kemi diçka të përgatitur. Por, nga kjo që po shohim dhe jemi dëshmitar, Kuvendi po dështon për të 33-tën herë dhe nuk e kemi të konstituuar atë, e mos të flasim që ende nuk ka filluar angazhimi për t’u ndërtuar Qeveria e re. Është kurciale të kemi njerëz që kanë përgjegjësi, që i marrin përgjegjësitë për zgjedhjen e kryeministrit, ndërtimin e një Qeverie të re dhe gjetjen e një koncensusi politik me të gjithë akterët në mënyrë qëkur të vije momenti të jemi të përgatitur”, ka thënë Shkodra në lidhje me situatën në të cilën gjendet Kosova.

Për raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, Shkodra ka thënë se janë ndërtuar me vite por që sipas saj Albin Kurti në mandatin e tij 4 vjeçar i ka “lënduar” këto raporte.

“Në të kaluarën Kosova ka pas raporte shumë të mira me SHBA-të dhe këto raporte janë ndërtuar ndër vite. Fatkeqësia e Kosovës është që në mandatin 4 vjeçar të Albin Kurtit, ai për shkak të kokëfortësisë së tij dhe moskoordinimit me SHBA-të, arriti që t’i lëndoj këto raporte dhe unë pres që kushdo që bëhet kryeministër i Kosovës dhe Qeveria e re që t’i marrë me urgjencë këto raporte dhe në lobim në mënyrë që të afrohemi te administrata Trump dhe presidenti Trump”, ka shtuar Shkodra për lajmi.net.

Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, në shtator të vitit 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik, në praninë e tij.

Kjo marrëveshje, e cila përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar në tërësi.

Vëmendja e Presidentit Trump dhe administratës së tij, aktualisht është e fokusuar në luftën mes Izraelit dhe Iranit prandaj edhe koha e tij për Kosovën mund të jetë e limituar.

Në vitet në vazhdim të mandatit të tij, pritet nëse Trump do të ftoj në takim përfaqësues nga Kosova dhe nga Serbia për një marrëveshje mes dy vendeve e cila nuk dihet nëse mund të jetë një vazhdimësi e marrëveshjes së Uashingtonit apo diçka tjetër. /Lajmi.net/