Dega e Nismës Socialdemokrate në Fushë Kosovë aderon në ministrinë e Punës

Ministria e cila është e thirrur të krijojë politikat e punës dhe të mirëqenies sociale ka hapur dyert për punësimet e bashkëpartiakëve të ministrit Skënder Reçica.

Lajme

25/04/2019 12:03

Zv. kryeministri Fatmir Limaj, në fushatën zgjedhore të qershorit të vitit 2017, kishte dhënë një premtim të madh. Pati thënë se nuk do të ketë familje që nuk do ta ketë së paku një person të punësuar. Por, dikasteret qeveritare që udhëhiqen nga Nisma Socialdemokrate tash e sa kohë kanë filluar ta jetësojnë këtë plan, por jo duke u dhënë mundësi të barabartë të gjithë qytetarëve.

Nismës Socialdemokrate, nuk e ka në plan të heqë dorë deri sa të punësohet edhe anëtari i fundit i partisë së tyre në dikasteret qeveritare me të cilat udhëheqë kjo parti, shkruan lajmi.net.

Punësimet e fundit kanë ndodhur në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale me konkurs mbi shërbimin civil.

Leutrim Zabelaj, i cili është sekretar i degës së Nisma-së në Fushë Kosovë, është përzgjedhur si më i miri në konkursin “Zyrtar i Lartë Ligjor” në MMPS.

Edhe bashkëpartiaku i tij në Fushë Kosovë që është nënkryetar i degës së Nisma-së në këtë komunë, Naim Bogujevci është përzgjedhur si më i miri në konkursin për “Zyrtar për Pensione”.

Ai ka qenë edhe prijës i listës për asamblistë në Fushë Kosovë në zgjedhjet e vitit 2017. Zabelaj është përzgjedhur më 24 prill (dje), kurse Bogujevci dy ditë me herët se ai. Të dy janë përzgjedhur si drejtues të Nisma-së në Fushë Kosovë në të njëjtën ditë.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga Zyra për informim e kësaj ministrie vetëm për punësimin e Bogujevcit, pasi Zabelaj është punësuar dje.

Musa Demiri – udhëheqës i Zyrës për Komunikim me Publikun në MPMS ka thënë, se për konkursin e shpallur nga MPMS-ja për vendin e punës “Zyrtar i pensioneve” në Zyrën e Pensioneve të Prishtinës, kanë aplikuar 159 kandidatë. Prej tyre 152 kandidatë i kanë plotësuar kriteret e parapara të konkursit, kurse në testin me shkrim janë paraqitur 134 kandidatë.

“Komisioni përzgjedhës ka vlerësuar se testin me shkrim e kanë kaluar 37 kandidatë, të cilët janë ftuar për intervistën me gojë. Në këtë intervistë janë paraqitur 35 kandidatë dhe pas grumbullimit të pikëve të testit me shkrim dhe atij me gojë komisioni ka konstatuar se më së shumti pikë ka grumbulluar kandidati që ju përmendni emir i të cilit edhe është publikuar në ueb-faqen e MPMS-së. Të gjithë anëtarët e komisionit vlerësues vlerësimin e bëjnë në mënyrë të pavarur pa asnjë ndikim apo përzierja të dikuj jashtë komisionit”, tha Demiri për lajmi.net.

Para disa javësh në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila udhëhiqet nga ministri i Nismës Socialdemokrate, Skënder Reçica, në Departamentin e Zyrës së Auditorit të Brendshëm është punësuar, bashkëshortja e Shpëtim Telakut, shofer personal i Fatmir Limajt.

Po ashtu edhe vëllai i Jakup Krasniqit ka punësuar djalin në këtë ministri.

Ndërkohë, janë bërë dhjetëra punësime familjare e partiake të njerëzve të Nisma-së në dikasteret tjera qeveritare ku udhëheqë kjo parti. /Lajmi.net/