Debatet i bëj me qytetarët

Isa Mustafa deklaron se nuk shkon në debate televizive sa për të kënaqur nevojat e dikujt tjetër. Thotë se programi i tij e tejkalon dialogun me përfaqësues të partive të ndryshme dhe e kërkon dialogun me qytetarët.

Lajme

18/10/2013 20:43

Isa Mustafa ka shpjeguar mungesën e tij në studiot televizive për debatet zgjedhore, të premten, derisa po zhvillonte fushatën elektorale për Prishtinën.

Lideri i LDK’së, i cili deri më tash nuk është shfaqur në dy debate televizive përkrah kandidatëve tjerë që garojnë për ta fituar Kryeqytetin, ka deklaruar se ai debatet i bën me qytetarët për projektet dhe vendimet që kanë të bëjnë me Komunën e Prishtinës.

Ka thënë se nuk është i interesuar të debatojë me kandidatët tjerë dhe sa për të kënaqur nevojat e dikujt tjetër.

“Ne dalim me program për qytetarët. Nuk dalim me program vetëm për anëtarët e LDK’së, sepse ne nuk do të jemi qeverisje komunale për anëtarësinë e LDK’së. Ne do të jemi qeverisje komunale nesër, e pasnesër qeverisje e Kosovës, për qytetarët e Komunës së Prishtinës, komunave tjera, dhe komunave të Republikës së Kosovës”.

“Programi im tejkalon dialogun me përfaqësues të partive të ndryshme. Programi im e kërkon dialogun me qytetarët”.

“Ne si LDK e kemi strategjinë tonë për debate. Unë zhvilloj debat me qytetarët, sepse të gjitha punët i kemi bërë me qytetarët. Ne buxhetin e kemi hartuar me qytetarët, dialogun e bëjmë me qytetarët dhe llogari u japim vetëm qytetarëve. Votën e kërkojmë nga qytetarët dhe jo nga konkurrentët”.

“Unë nuk kam qenë dhe nuk jam për atë që të bëj debat vetëm sa për të bërë debat, në mënyrë që ta kënaq kërkesën dhe sedrën e dikujt, por jam për atë që të bëjë debat me qytetarët”.

“Ne do të vendosim në qoftë se ne e shohim të arsyeshme ndonjë debat, siç është fjala ndonjë debat ku kemi panelistë që shtrojnë pyetje për fusha të caktuara, që i mbulojnë me profesionin e tyre”.

Isa Mustafa, në vijim, ka shpalosur programin për gratë dhe ka premtuar se periudhën e lehonisë do të zgjatet në 12 muaj.

Ai ka përmendur edhe rolin e gruas në shoqëri dhe ka pohuar se LDK ka deputete e biznesmene shumë të suksesshme.

Sipas tij, ku nuk ka barazi – ka ngecje edhe ne zhvillimin ekonomik, në arsim dhe në vendimmarrje.

Mustafa ka deklaruar se të gjitha analizat flasin se gratë janë të pakorruptuara dhe mbrojnë më së miri pronën publike.