De Biasi i beson Shqipërisë

Selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi është shprehur optimist para përballjes me Islandën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror 2014. Strategu italian beson se futbollistët e tij mund të këndellen pas humbjes së pamerituar nga Sllovenia të premten e shkuar, dhe të ringjallin shpresat e kualifikimit për në Brazil. “Rikuperimi psikologjik është i vështirë…

Sport

10/09/2013 09:29

Selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi është shprehur optimist para përballjes me Islandën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror 2014.

Strategu italian beson se futbollistët e tij mund të këndellen pas humbjes së pamerituar nga Sllovenia të premten e shkuar, dhe të ringjallin shpresat e kualifikimit për në Brazil.

“Rikuperimi psikologjik është i vështirë pas një disfate, por kjo skuadër ka forcën e duhur për ta bërë, ashtu siç bëri edhe pas disfatës me Islandën kur fituam me Slloveninë në shtëpi. Për më tepër që vijmë pas një ndeshje ku edhe trajneri kundërshtar e pranoi se i eci mirë dhe ne nuk mundëm të marrim në aspektin e rezultatit atë që dhamë në fushë”, është shprehur De Biasi.

Ai nuk ka se çfarë të fshehë, luan për gjithçka ose asgjë, me letra të hapura, ashtu siç bën të ditur dhe formacionin që tashmë do të rreshtohet me një tjetër modul 4-4-2.

Cana dhe Teli të palëvizshëm përballë Berishës, Dallkun që rikthehet në të djathtë të mbrojtjes Lilën në të majtë, Basha dhe Kaçe ofrojnë këmbë të mira në qendër të mesfushës aty ku Roshi do të jetë sërish në të djathtë këtë herë ndoshta më i disiplinuar ndërsa Rama mbetet një kërcënim konstant në të majtë, pesha e sulmit mbi dyshen Salihi-çani këtë herë bashkë që nga minuta e parë në një ndeshje ku kuqezinjëve ju duhet goli, ju duhet të fitojnë.

“Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë me një kundërshtar të vështirë që vjen me një moral të lartë pas barazimit 4-4 me Zvicrën. Jemi një grup i ekuilibruar me disa skuadra që kanë mundësi për të marrë maksimumin. Ne jemi përgatitur për ti luajtur të gjitha shanset tona”, përfundoi italiani.

Dueli zhvillohet sonte në ora 21:00.