De Biasi e zbulon të vërtetën për Januzajn

Gianni De Biasi ka treguar se nuk ka arritur asnjëherë të kontaktonte me Adnan Januzajn apo babain e tij.

Sport

27/10/2015 16:56

Tekniku italian ka deklaruar se i kishte dërguar disa herë mesazhe babait të Januzajt, mirëpo ai kurrë nuk i ishte përgjigjur.

“Problemi me Januzajn ishte se ne nuk arrinim të flisnim dot personalisht me atë, por çdo gjë duhet më parë ta diskutonim me babain e tij. Me të atin e Januzajt nuk kam arritur të flas asnjëherë. I kam dërguar shumë mesazhe por nuk mu përgjigj asnjëherë. Në fakt ia kam dërguar në disa gjuhë për të kontaktuar. I kam dërguar mesazhe në shqip, në frëngjisht, dhe në anglisht, por në asnjë nga këto gjuhë nuk më është pergjigjur. Unë mendoj se kjo është një gjë vertet e trishtueshme sepse së paku ai mund të përgjigjej dhe të thoshte që Januzaj nuk do të vijë me ne, por të paktën do të merrnim një përgjigje. Mjaftonte që të më thoshte “Zoti De Biasi ose De Biasi shkurt, djali im nuk do të luaj për Shqipërinë, kaq”, ka theksuar De Biasi në emisionin ‘Opinion’.

Januzaj e zgjodhi Belgjikën në vend të Shqipërisë, mirëpo futbollisti i huazuar te Borussia Dortmund nuk po arrin të sigurojë vend në kombëtaren belge.