Danimarka e pakënaqur me dënimin e Serbisë

Federata e Futbollit të Danimarkës ka reaguar duke shprehur pakënaqësinë që ndeshja me Serbinë në Beograd do të zhvillohet pa tifozë pasi përkrahësit e tyre tashmë i kanë blerë biletat.

Sport

24/10/2014 21:07

Vendimi i Komisionit Disiplinor të UEFA-s ka lënë të pakënaqur edhe Federatën Daneze të Futbollit.

Nëpërmjet një njoftimi, ajo ka reaguar duke shprehur pakënaqësinë që dueli me Serbinë në Beograd do të zhvillohet pa tifozë.

“Vendimi për ta luajtur ndeshjen pa tifozë dëmton mbështetësit e Danimarkës të cilët kanë blerë biletat për sfidën kundër Serbisë që përpara vendimit të UEFA-s”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Federatës Daneze të Futbollit.

Presidenti Klaus Meyer-Breton ka paralajmëruar se do të kontaktojë me autoritetet serbe për të gjetur një zgjidhje që tifozët danezë të jenë të pranishëm në ballafaqimin në Beograd.