Daka flet për profesionin e gjyqtares: Jam marrë edhe me rastin “Pronto”

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka folur edhe për profesionin e gjyqtares që e ushtron në Gjykatën Supreme, duke shtuar se e bën më me qejf.

Lajme

03/03/2021 22:35

Ajo ka konfirmuar se është marrë edhe me lëndën për rastin e njohur “Pronto”, por nuk ka komentuar më shumë duke thënë se nuk i lejohet dhe s’është etike, njofton Klan Kosova.

“Jam marrë edhe me këtë lëndë. Unë nuk vendosi se me cilën lëndë do të merrem. Ndahen rastësisht dhe kjo është njëjtë për të gjithë gjyqtarët. E kemi obligim të merremi me rastet që na caktohen dhe në momentin kur bëhemi gjyqtar ne japim një betim që duhet t’i zbatojmë ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës. Nuk mund të jap më shumë informata, sepse s’është etike dhe as në rregull të flas për çështjet penale me të cilat jemi marrë”.

Por, cila punë është më e vështirë për Dakën?

“Puna në gjykatë është ajo që e bëj me shumë dashuri. Gjithë jetën jam marrë me atë punë. Puna në KQZ është shumë më e vështirë, por tashmë e kam dhe më duhet ta kryej. Në Gjykatë Supreme ka ndoshta më shumë peshë sepse aty vendoset për jetën e njerëzve dhe fatin e tyre, ndërsa në KQZ vendoset për organizimin e zgjedhjeve”.

Daka në Rubikon tregoi se vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve e ka fokusin në KQZ dhe pas certifikimit të rezultateve i kthehet punës më intensivisht në Gjykatë Supreme.