Daily Mail: Duraku po mbahet në një burg ferri në Serbi, situata serioze

E përditshmja britanike “Daily Mail” ka realizuar një artikull për shqiptarin Sadik Duraku, i cili është ndaluar nga policia serbe kur Beogradi dha urdhër për bllokim të autobusëve me udhëtarë shqiptarë në kufi, një ditë pas suksesit që korri Kosova në Këshillin e Evropës. Gazeta britanike iu referohet vajzës së tij, Suzana Durakut, e cila ka…

Lajme

28/04/2024 17:34

E përditshmja britanike “Daily Mail” ka realizuar një artikull për shqiptarin Sadik Duraku, i cili është ndaluar nga policia serbe kur Beogradi dha urdhër për bllokim të autobusëve me udhëtarë shqiptarë në kufi, një ditë pas suksesit që korri Kosova në Këshillin e Evropës.

Gazeta britanike iu referohet vajzës së tij, Suzana Durakut, e cila ka treguar se babai i tij u ndalua teksa ishte duke vozitur përtej kufirit nga Kroacia në Batrovci për të vizituar familjen javën e kaluar.

Ndërkaq pavarësisht që Serbia lëshoi të ndaluarit, Duraku është ende duke e mbajtur me arsyetimin se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ai u dërgua në Gjykatën e Lartë për Krime Lufte në Beograd dhe u akuzua për anëtarësim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për kryerjen e fyerjeve gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Familja e tij thotë se kjo është e pamundur sepse ai ishte në Britani, që nga koha kur kishte aplikuar për azil në vitin 1998 dhe nuk u largua nga aty deri në vitin 2004”, shkruan Daily Mail.

Vajza e Sadikut, Suzana Duraku bashkë me familjen e tyre po kërkojnë prova që të bien poshtë këto akuza të pabaza.

“Prandaj, dokumentimi i kërkesave tona për azil dhe lëvizjeve brenda Mbretërisë së Bashkuar nga viti 1998 deri në 1999 është jetik. Zyra e Brendshme Britanike duhet ta ketë këtë informacionin dhe së bashku me Ambasadën Britanike, duhet të jetë në gjendje të organizojë një vëzhgim. Ajo që na duhet gjithashtu është presioni nga Britania e Madhe për të liruar babain tim”, është kërkesa e saj.

Tutje Suzana ka njoftuar se babai i saj vuan nga sëmundja e zemrës dhe se ai pati arrest kardiak në vitin 2021. Ajo ka shprehur shqetësimin familjar se babait mund t’i ndodh përkeqësimi shëndetësor duke qenë i burgosur.

“Deri më sot, ai vuan nga ky atak në zemër dhe ka rrjedhje të valvulës dhe presion të lartë të gjakut. Ne shqetësohemi se stresi dhe kushtet do ta përkeqësojnë gjendjen e tij. Ai po mbahet edhe për 30 ditë të tjera para se të shkojë në gjykatë, kam frikë se çfarë do të vijë pas kësaj”, ka thënë ajo.

Duraku, drejtor i një kompanie të autolarjes me qendër në Brighton, do të qëndrojë në paraburgim derisa të dalë sërish në gjykatë muajin e ardhshëm. Një burim i Daily Mail tha: “Është një situatë shumë serioze. Është një qendër kujdestarie në ferr”.