Covid-19 “po sulmon” mendjen e fëmijëve! Ekspertët britanikë në alarm, si mund të ndihmoni ju si prindër
Dhjetë ekspertët kryesorë për të miturit në Mbretërinë e Bashkuar thonë se ankthi, dëmtimi i vetes dhe mendimet vetëvrasëse kanë arritur majën.
Lifestyle
Pandemia Covid-19 duket se ka ndryshuar jo vetëm ritmin e përditshmërisë apo zakonet tona, por ia ka dalë të depërtojë edhe në mënyrën e të menduarit, shkruan “IconStyle”.
Specialistët britanikë paralajmërojnë se niveli i depresionit te fëmijët është në nivele të frikshme, teksa u bëjnë thirrje autoriteteve të hapin shkollat, transmeton lajmi.net.
Përndryshe, sipas tyre rrezikohet një ndikim shkatërrues në shëndetin mendor të fëmijëve. Dhjetë ekspertët kryesorë për të miturit në Mbretërinë e Bashkuar thonë se ankthi, dëmtimi i vetes dhe mendimet vetëvrasëse kanë arritur majën.
Shkollat janë mbyllur në të gjithë vendin që nga fillimi i bllokimit të tretë kombëtar, teksa prindërit po shfaqin gjithashtu shenja stresi dhe rëndese psikologjike, në një kohë kur duhet të arsimojnë virtulisht nga shtëpia fëmijët e tyre, si dhe të kujdesen për punën apo bizneset.
Pikërisht situata shqetësuese e gjendjes emocionale të fëmijëve solli hapjen e shkollave në Las Vegas, ku 18 nxënës u vetëvranë. Më i vogli në mesin e tyre ishte vetëm nëntë vjeç.
Thirrja për hapje të shkollave në Mbretërinë e Bashkuar vjen në një kohë kur vendi ndodhet nën ethet e llojit të ri të Covid-it, i cili po rezulton shumë më ngjitës se varinti i vjetër.
Ekspertët u bëjnë thirrje prindërve të tregohen vigjilentë ndaj reagimeve të fëmijëve, të flasin me ta dhe mbi të gjitha t’i ndihmojnë në kapërcimin e mësimit online, një mision që iu caktua befasisht të vegjëlve në një situaatë të pazakontë pandemie.
Përpiquni sa të mundeni të vendosni orare
Fëmija duhet të ketë një ide më të qartë sa i takon menaxhimit të ditës; një orar për fjetjen, mësimin online apo argëtimet e ndryshme. Përdorni një kalendar të veçantë, që pret të ngjyroset çdo ditë, kur detyrat kanë mbaruar me sukses.
Qetësia është çelësi
Pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë diçka e tillë, nëse fëmija nuk gëzon dhomën e tij, tentoni t’i krijoni një kënd të rehatshëm, pa zhurma dhe frymëzues. Letrat e murit dhe vizatimet shumëngjyrëshe janë një ide e mirë.
Vëzhgojini
Është tepër e rëndësishme që ju si prindër të jeni gjatë gjithë kohës në dijeni se çfarë po bën fëmija juaj gjatë kohës së mësimit online. Mos i qëndroni shumë pranë, ruani pak distancë. Gjatë ditës, fare miqësisht pyeteni se ç’gjë interesante mësoi sot.
Mësoni duke u argëtuar
Ju mund të ndikoni për mirë në performancën arsimore të fëmijës. Konsumoni një vakt të shijshëm në kuzhinë, apo një filxhan kakao ndërkohë që ai/ajo shkruan esenë e ditës. Tjetër ide? Një show magjik ku mësohet rreth shkencës.
Lëvizni sa më shumë
Kërceni apo shëtisni së bashku; mbajeni fëmijën tuaj energjik. Në fund të ditës mos harroni se e gjitha kjo situatë është e vështirë për fëmijën. Muzikë, filma apo pikturë; pak art është gjithmonë ndihmues.
Ndihmë të specializuar
Nëse gjykoni se fëmija juaj ka nevojë për një ndihmë më të specializuar për shkak të rëndesës së gjendjes emocionale, si pasojë e situatës në të cilën ndodhemi, mos nguroni të kontaktoni një profesionist. /Lajmi.net/