Costa: Shqetësuese veprimet ndarëse të Republikës Sërpska
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë një vizite në Sarajevë më 13 maj, shprehu shqetësim për siç i quajti ai veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës. “Erdha në Sarajevë për të përcjellë një mesazh shqetësimi për lëvizjet ndarëse në Republikën…

Lajme
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë një vizite në Sarajevë më 13 maj, shprehu shqetësim për siç i quajti ai veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.
“Erdha në Sarajevë për të përcjellë një mesazh shqetësimi për lëvizjet ndarëse në Republikën Sërpska,” deklaroi Costa, duke theksuar se tensionet politike po pengojnë bashkëpunimin e brendshëm dhe përparimin në rrugën evropiane.
Ai bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe për një angazhim të sinqertë të liderëve politikë drejt reformave.
Costa rikujtoi se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të Bosnjë e Hercegovinës dhe u shpreh i zhgënjyer që, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku vend ende nuk përfiton nga fondet e Planit të Rritjes.
“Qytetarët e Bosnje e Hercegovinës mund të paguajnë një çmim të lartë nëse nuk shfrytëzohen mundësitë që ofron BE-ja”, tha ai, duke theksuar se një miliard e 85 milionë euro ndihma mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së reformave.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhanë mesazhe të kundërta.
Kryesuesja e radhës e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, kërkoi që dialogu me BE-në të zhvillohet pa përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, duke fajësuar ndërhyrjet e huaja për krizën politike.
Në anën tjetër, Denis Beçiroviq e akuzoi drejtpërdrejt presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, për bashkëpunim me Rusinë dhe përpjekje për të destabilizuar vendin, duke e quajtur “marionetë të Moskës”.
Ai shtoi se përfaqësuesi i lartë nuk ka shkaktuar krizën, dhe se është e nevojshme të dërgohen forca të përshtatshme në kufi.
Bashkimi Evropian kërkon nga Bosnja dhe Hercegovina të miratojë dy ligje dhe të emërojë kryenegociatorin për të mundësuar mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim.
Megjithatë, për shkak të bllokadës së pushtetit shtetëror dhe ngërçit politik, rruga evropiane është shtyrë. Bosnje e Hercegovina është në procesin e përmbushjes së 14 prioriteteve të kërkuara nga Komisioni Evropian për të avancuar në këtë drejtim. REL