Cortana e Microsoft mund të vijë në iOS dhe Android

Microsoft po planifikon që ta ofrojë një aplikacion të ndarë për asistentin digjital me zë Cortana në pajisjet iOS dhe Android, raporton Reuters.

Auto & Tek

14/03/2015 19:59

Cortana është momentalisht në dispozicion për pajisjet me sistemin Windows Phone 8.1. Raporti i ri vjen pak kohë pas lajmeve që Cortana do të jetë thellë e integruar në sistemin operativ Windows 10 të Microsoft për desktop.

Reuters nuk morri ndonjë konfirmim zyrtar për lëvizjen e Cortana-s në platforma të tjera, por e intervistoi drejtorin e Microsoft Research, Eric Horvitz, i cili ndau disa prej planeve të Microsoft për asistentin digjital me zë, transmeton Lajmi.net.

Sipas Horvitz, një version i ardhshëm i Cortana-s do të jetë në gjendje që t’i lexojë dhe kuptojë emailet tuaja, dhe më pas të përdor informacionin për t’ju informuar juve.

Hulumtimi që do të bëhet për një Cortana të re është pjesë e programit të Microsoft për inteligjencë artificiale të quajtur Einstein.

Ta shohim Cortana-n në platforma të tjera mobile do të jetë mjaft interesant, posaçërisht në Apple.