Copëzat e veturës mbesin në vendin e aksidentit tek liqeni i Badocit, afër urës 38 metërshe që po bëhet “fatale” për udhëtarët

Aksidenti tragjik që ndodhi të shtunën mbrëmë tek liqeni i Badocit mori jetën e tre të rinjve. Ardit Gashi, Shpat Shehu dhe Rifat Pacolli janë viktimat e një aksidenti tragjik që ndodhi në rrugën e rrezikshme Gjilan-Prishtinë, saktësisht tek pjesa e njohur si tek liqeni. Lajmi.net ka siguruar edhe disa fotografi nga vendi i ngjarjes…

Lajme

07/10/2024 10:43

Aksidenti tragjik që ndodhi të shtunën mbrëmë tek liqeni i Badocit mori jetën e tre të rinjve.

Ardit Gashi, Shpat Shehu dhe Rifat Pacolli janë viktimat e një aksidenti tragjik që ndodhi në rrugën e rrezikshme Gjilan-Prishtinë, saktësisht tek pjesa e njohur si tek liqeni.

Lajmi.net ka siguruar edhe disa fotografi nga vendi i ngjarjes ku ndodhi ky aksident, ku aty mbetën edhe copëza të veturës së aksidentuar.

Aksidenti ndodhi saktësisht tek pjesa e njohur si “devijim”, e që u bë si shkak i prishjes së urës 38 metra që vazhdon të jetë e papërfunduar.

Kjo urë e prishur u bë shkak që rruga të devijohet për 2 kilometra. Si fillim kjo rrugë ishte e paasfaltuar e më pas u asfaltua, në mënyrë që të lehtësojë sado pak qarkullimin.

Por pavarësisht kësaj, në rrugën Gjilan-Prishtinë dhe anasjelltas ka mungesë të dukshme të sinjalistikës, rruga është e parregulluar siç duhet, e kthesat e thella e bëjnë edhe më të rrezikshme.

Ura e shkurtër për tu punuar po del e gjatë në kohë pasi edhe pse parashihej që të përfundonte për katër muaj, po bëhet gati një vit e ajo s’është ende kërku hiç.

Madje ditë ma parë zv/ministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi doli tek ura ku tha se po punohet, por aty shihen vetëm dy ekskavator e që vërehet qartë se puna nuk është as në fillimet e saj.

Gjilanasve, por edhe të tjerëve që u duhet të kalojnë këtë rrugë vazhdimisht iu është bërë tejet e vështirë.

Të njëjtit mbesin në pritje të autostradës, e cila nuk ka mundësi të bëhet këtë vit derisa rruga magjistrale është si mos më keq./Lajmi.net/