Çmimet e naftës, Rama: Bordi i Transparencës është vënë në lëvizje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli për uljen e akcizës me 20 për qind pasi nafta u rrit në rreth 2.20 euro. Ai deklaroi ndër të tjera se Bordi i Transparencës është vënë në lëvizje për të pasqyruar çdo ndryshim nga tregjet globale në tregun vendas. “Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ…

Lajme

05/04/2026 21:33

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli për uljen e akcizës me 20 për qind pasi nafta u rrit në rreth 2.20 euro.

Ai deklaroi ndër të tjera se Bordi i Transparencës është vënë në lëvizje për të pasqyruar çdo ndryshim nga tregjet globale në tregun vendas.

“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për liter”.

“Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike”, tha ai.

Rama u shpreh se masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare.

“Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës, që është vënë në lëvizje, do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë çka duhet të ndodhë në tregun vendas”.

“Ky është një reagim i duhur, i matur në kohë, që garanton vendimmarrje të shpejta, që mishëron përgjegjësi të plotë dhe që do të bëjë të mundur që qytetarët, drejtuesit e automjeteve, të mos abuzohen nga distributorët e naftës. Masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës, në bazë të tregjeve, do të jenë drastike”, tha Rama