Çka do të blejë Shqipëria nga Amerika? Dy HIMARS, raketahedhësit që u bënë të famshëm në Ukrainë

Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të dy sistemeve raketore M142 HIMARS për Shqipërinë, në vlerë të përafrt prej 210 milionë dollarësh. Lajmin e konfirmoi edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, në Facebook. Ai e quajti blerjen „një hap të rëndësishëm për thellimin e…

Lajme

20/11/2026 11:43

Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të dy sistemeve raketore M142 HIMARS për Shqipërinë, në vlerë të përafrt prej 210 milionë dollarësh.

Lajmin e konfirmoi edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, në Facebook. Ai e quajti blerjen „një hap të rëndësishëm për thellimin e partneritetit strategjik” mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

Çka përfshin paketa?

Miratimi u bë më 17 nëntor. Sipas njoftimit amerikan, Shqipëria ka kërkuar dy lëshues M142 HIMARS, 72 raketa të drejtuara të kalibrit 227 milimetra, tetë sisteme për drejtimin e zjarrit të artilerisë, si dhe automjete mbështetëse, rimorkio, pajisje për mirëmbajtje dhe trajnim.

Kontraktori kryesor është kompania amerikane Lockheed Martin.

Kush e paguan?

Blerja do të financohet me kredi përmes programit amerikan të Financimit Ushtarak të Huaj (FMF). Pra, Shqipëria nuk i paguan menjëherë nga buxheti, por merr kredi nga vetë Amerika për të bletë armë amerikane.

Çka është HIMARS-i?

HIMARS është një raketahedhës i lehtë, i montuar mbi kamion, që mund të gjuajë raketa me precizion të lartë në distanca prej disa dhjetëra kilometrash dhe pastaj të largohet shpejt nga pozicioni.

Ai u bë i famshëm në verën e vitit 2022, kur Ukraina e përdori për të goditur depot e municionit dhe qendrat komanduese ruse thellë pas vijës së frontit.

Për Shqipërinë, kjo do të ishte artileria e parë moderne raketore me precizion në Forcat Tokësore.

Si reagoi Serbia?

Më herët, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova kishin nënshkruar një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në mbrojtje. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç atëherë tha se kjo „hapi garën e armëve në rajon”, kurse Zyra serbe për Kosovën pretendoi se marrëveshja e shkel kontrollin e armëve në rajon.

Departamenti amerikan i Shtetit, në vlerësimin e vet, thotë se kjo shitje nuk e ndryshon ekuilibrin themelor ushtarak në rajon.

Çka nuk dimë

– Kur do të nënshkruhet kontrata përfundimtare, sepse miratimi është vetëm hapi i parë.

– Kur do të arrijnë sistemet në Shqipëri.

– Me çfarë kushtesh dhe sa vite do të kthehet kredia.

– Ku do të vendosen sistemet.

– A do të reagojë zyrtarisht Beogradi.

Pse u bë kaq i famshëm sistemi HIMARS në Ukrainë?

Sistemi M142 HIMARS (High Mobility Artillery Rocket System) fitoi famë botërore në verën e vitit 2022, kur u bë një nga armët kryesore që ndryshoi dinamikën e luftës në Ukrainë.

Ndryshe nga artileria e vjetër, HIMARS përdor raketa të drejtuara me GPS që godasin objektiva me precizion të lartë në distanca deri në rreth 80 kilometra.

Meqenëse është i montuar mbi një kamion të lehtë ushtarak, sistemi lëshon breshërinë e raketave dhe zhvendoset brenda pak minutash për t’i shpëtuar kundërsulmit të armikut.

Në Ukrainë u përdor masivisht për të shkatërruar depot e municionit, urat e furnizimit dhe qendrat komanduese ruse larg vijës së parë të frontit./Lajmi.net/

https://www.state.gov/releases/bureau-of-political-military-affairs/2026/11/albania-m142-high-mobility-artillery-rocket-systems