Kosova apo Gjermania, flet Arijon Ibrahimovic
Futbollisti i ri Arijon Ibrahimovic ka konfirmuar se ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës, por për momentin është i përqendruar te Kombëtarja U21 e Gjermanisë, pa e përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të veshë fanellën e Dardanëve. Në një intervistë për mediumin gjerman SPOX, futbollisti që aktualisht luan për ekipin kombëtar…
Sport
Futbollisti i ri Arijon Ibrahimovic ka konfirmuar se ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës, por për momentin është i përqendruar te Kombëtarja U21 e Gjermanisë, pa e përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të veshë fanellën e Dardanëve.
Në një intervistë për mediumin gjerman SPOX, futbollisti që aktualisht luan për ekipin kombëtar gjerman U21 ka folur hapur për raportin e tij me Kosovën dhe mundësinë që një ditë të përfaqësojë vendin e origjinës së familjes së tij.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë ofertë apo kontakt nga Federata e Futbollit të Kosovës, Ibrahimovic është përgjigjur pozitivisht.
“Po, ka pasur kontakte me Federatën Kosovare të Futbollit. Unë ndjek zhvillimin pozitiv të federatës dhe futbollit kosovar me shumë respekt. Sidoqoftë, fokusi im aktual është te ekipi kombëtar gjerman U21, për të cilin më pëlqen shumë të luaj”, ka deklaruar Ibrahimovic.
Megjithatë, futbollisti nuk ka dhënë ndonjë sinjal përfundimtar se cilën kombëtare do ta zgjedhë në të ardhmen, duke lënë të hapur çështjen e vendimit të tij ndërkombëtar.
Ai ka treguar gjithashtu se lidhjet me Kosovën mbeten të forta, pasi familjen në vendlindjen e prindërve të tij e viziton të paktën një herë në vit.
“Unë e vizitoj familjen time në Kosovë të paktën një herë në vit, ndonjëherë edhe më shpesh. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”, ka theksuar ai.
Ibrahimovic ka folur edhe për Erblin Osmanin, talentin e Bayern Munichut, i cili së fundmi debutoi me Kosovën duke u bërë lojtari më i ri në historinë e përfaqësueses.
“E përgëzova për debutimin e tij dhe jam i lumtur për të. Ai e meritonte”, ka thënë Ibrahimovic.
Në intervistë, ai ka zbuluar se do të dëshironte të ishte pjesë e grumbullimit të fundit të Gjermanisë U21, por një dëmtim në pulpë e kishte detyruar të tërhiqej për t’u rikuperuar plotësisht.
Ibrahimovic, i cili ka shtetësi gjermane dhe kosovare, mbetet kështu një tjetër futbollist me prejardhje nga Kosova që është në qendër të vëmendjes për të ardhmen ndërkombëtare. Për momentin, ai vazhdon të jetë pjesë e Gjermanisë U21, ndërsa kontaktet me FFK-në konfirmojnë se mundësia e përfaqësimit të Kosovës është diskutuar.