Ç’janë thonjtë e futur në mish, përse shfaqen gjatë dimrit dhe si t’i kuroni pa ndërhyrje kirurgjikale

Nëse i prisni thonjtë e këmbëve shumë shkurt, sidomos në anët e gishtit të madh, mund të filloni të vëreni se ata kanë tendencën të futen në mish.

Lifestyle

17/01/2019 20:13

Shumë njerëz kur presin thonjtë e gishtave të këmbës kanë tendencën t’u japin një rrumbullakësi në cepa, në mënyrë që profili i thoit të ndjek atë të gishtit: në fakt kjo teknikë mund të nxisë që thoi të depërtojë nën lëkurë.

Në fillim gishti ku ndodhet thoi i hyrë në mish mund forcohet, enjtet dhe të dhembë. Më pas bëhet i kuq, infektohet dhe dhimbja bëhet akoma më e madhe. Thonjtë e futur në mish janë një çrregullim i zakonshëm dhe i dhimbshëm, sidomos gjatë dimrit.

Çdo thua gishti mund të futet në mish, por problemi në shumicën e rasteve prek gishtin e madh të këmbës. Ndonjëherë ju mund të vëreni një sasi të vogël qelbi si produkt i plagës. Thonjtë mund të futen në mish për shumë arsye. Në disa raste, janë të lindura, pra janë shumë të mëdha për gishtat përkatës, transmeton living.al.

Edhe traumat të tilla si kur ju lëndoni gishtin, ose dikush ju shkel këmbën mund të bëjnë që thonjtë të hyjnë në mish. Megjithatë, shkaku më i shpeshtë janë këpucët shumë të ngushta, ose thonjtë e prerë keq, apo të papastër. Thonjtë e futur në mish duhet të trajtohen sapo ti e kupton problemin.

Nëse ndërfutja e thoit në mish vihet re në kohën e duhur, pra para fillimit të infeksionit, disa metoda të thjeshta mund t’ju ndihmojnë për të shmangur përdorimin e terapive të tjera:

Lani me ujë të ngrohtë këmbët tre, ose katër herë në ditë.

Për pjesën tjetër të ditës mbajini këmbët e thata.

Vishni këpucë të rehatshme që të lënë hapësirë të mjaftueshme për gishtat. Nëse është e mundur, vishni sandale derisa të shëroheni.

Relaksojini këmbët duke i futur në ujë të ngrohtë: Shtoni në të sodë buke, pak xhel larës dhe disa pika vaj esencial që pëlqeni. Kjo do i mbajë këmbët e buta duke larguar lëkurën e vrazhdë. Mbajini në ujë të ngrohtë për 20 minuta më pas pastrojini me gurë për të larguar lëkurën e ashpër dhe kallot.

Futni këmbët në ujë të ngrohtë me kripë për 20 minuta dhe më pas me një fill dentar kalojeni poshtë thoit për të nxjerrë jashtë mishit cepin e tij. Pas kësaj trajtojeni zonë me një antiseptik për ta mbrojtur nga infektimi. Përsëriteni këtë proces deri sa gishti të shërohet.