Çitaku kritikon ashpër Trendafilovën: Dilni përballë gazetarëve dhe jepni llogari

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe llogaridhënieje në drejtimin e Gjykatës Speciale. Përmes një postimi, Çitaku ka thënë se një video-adresim pa mundësinë e parashtrimit të pyetjeve nga gazetarët nuk i…

Lajme

20/10/2026 11:53

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe llogaridhënieje në drejtimin e Gjykatës Speciale.

Përmes një postimi, Çitaku ka thënë se një video-adresim pa mundësinë e parashtrimit të pyetjeve nga gazetarët nuk i adreson shqetësimet e ngritura ndër vite lidhur me punën e kësaj gjykate, transmeton lajmi.net.

Ajo ka pretenduar se nën drejtimin e Trendafilovës është cenuar besimi në drejtësi, duke ngritur shqetësime për transparencën e procesit, barazinë e palëve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbikëqyrjen e pavarur.

“Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie. As titujt, as betimet dhe as videot nuk e zëvendësojnë profesionalizmin dhe drejtësinë që duhet të dëshmoni në vendimet tuaja”, ka shkruar Çitaku.

Ajo i ka bërë thirrje Trendafilovës që të dalë përballë gazetarëve dhe t’u përgjigjet pyetjeve për mënyrën se si e ka udhëhequr Gjykatën Speciale.

“Përgjegjësia është edhe personalisht juaja, znj. Trendafilova. Dilni përballë gazetarëve, mos u fshihni siç keni bërë qe dy vite. Përgjigjuni pyetjeve të vështira. Jepni llogari për mënyrën se si e keni drejtuar këtë gjykatë”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka kundërshtuar gjithashtu, siç e ka quajtur, tendencën për t’i cilësuar kritikat ndaj Gjykatës Speciale si dezinformim, duke kërkuar që shqetësimet të marrin përgjigje konkrete.

Në fund të reagimit të saj, zyrtarja e PDK-së ka ritheksuar mbështetjen për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit, duke theksuar se kundërshtimi i asaj që ajo e konsideron padrejtësi do të vazhdojë përmes mjeteve ligjore dhe institucionale.

“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë. […] Dhe këtë nuk do ta pranojmë, nuk do ta heshtim dhe nuk do ta lëmë pa e sfiduar!”, ka përfunduar Çitaku./lajmi.net/