OVL-UÇK reagon ndaj Trendafilovës: Arrogancë ndaj Kuvendit, në Speciale kanë munguar dinjiteti dhe profesionalizmi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, lidhur me çështjen e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e kësaj gjykate. Në reagimin e saj, OVL-UÇK i ka cilësuar pretendimet e Trendafilovës si të çuditshme dhe qesharake, duke…

Lajme

20/10/2026 12:55

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, lidhur me çështjen e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e kësaj gjykate.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK i ka cilësuar pretendimet e Trendafilovës si të çuditshme dhe qesharake, duke theksuar se në Kosovë ligjet miratohen nga Kuvendi, i cili është edhe institucioni që ka themeluar Dhomat e Specializuara, transmeton lajmi.net.

Organizata ka kritikuar atë që e ka konsideruar si arrogancë ndaj Kuvendit në çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, duke nënvizuar se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore përbëjnë një të drejtë legjitime.

OVL-UÇK ka ritheksuar gjithashtu qëndrimin e saj se Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë, ndërsa ka kritikuar Dhomat e Specializuara, duke pretenduar se në punën e tyre kanë munguar dinjiteti dhe profesionalizmi.

Reagimi i plotë:

REAGIM

Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova.

Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi.

Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë. Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë.

Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre. Andaj, gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar. Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi./lajmi.net/