Challandes fton Anel Rashkaj në grumbullimin e Kosovës, e konfirmon lojtari

Anëtari i Eskilstuna, Anel Rashkaj, i cili dikur mbante shiritin e kapitenit tek Kosova, është ftuar për dy ndeshjet e ardhshme të kombëtares Dardane.

Sport

16/05/2019 19:02

Lëndimi i Hekuran Kryeziut ka lënë disa hapësira në mesfushë, të cilat  selektori zviceran ka menduar që t’i mbuloj me lojtarin që luan në ligën suedeze.

Rashkaj nuk ishte ftuar asnjëherë më parë nga trajneri Challandes, por performancat e tij të mira këtë edicion duket se kanë bindur trajnerin.

Është pikërisht lojtari nga Prizreni ai që ka konfirmuar ftesën e pranuar nga Bernard Challandes.

“Tashmë kam pranuar ftesë për dy ndeshjet e qershorit. Së pari jam munduar që ta kryejë punën time me ekipin e pastaj të tjerët janë që e vlerësojnë dhe e vendosin. Është kënaqësi, nuk ka fjalë që e përshkruan përfaqësimin e shtetit. Secili futbollist e ka ëndërr”, ka thënë të enjten Anel Rashkaj për ‘Zëri.info’, përcjell lajmi.net.

Rashkaj ka qenë ndër lojtarët kryesorë të Kosovës, në kohën kur kombëtarja jonë ishte në hapat e parë pas pranimit në UEFA dhe udhëhiqej nga Albert Bunjaku. /Lajmi.net/