“Çfarë turpi për një vend që luftoi kaq fort për lirinë” – Profesori amerikan reagon ashpër për vrasjen e Arlinda Zekajt

Profesori amerikan Alon Ben-Meir ka reaguar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Kosovë, duke shprehur indinjatë për dështimin e institucioneve në parandalimin e rasteve të dhunës ndaj grave. Ben-Meir ka kritikuar ashpër gjendjen në Kosovë, duke rikujtuar sakrificat që qytetarët kanë bërë gjatë luftës për liri. Ai ka thënë se është e papranueshme që,…

Lajme

31/10/2026 17:25

Profesori amerikan Alon Ben-Meir ka reaguar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Kosovë, duke shprehur indinjatë për dështimin e institucioneve në parandalimin e rasteve të dhunës ndaj grave.

Ben-Meir ka kritikuar ashpër gjendjen në Kosovë, duke rikujtuar sakrificat që qytetarët kanë bërë gjatë luftës për liri. Ai ka thënë se është e papranueshme që, edhe pas gjithë asaj historie, gratë vazhdojnë të humbin jetën brenda shtëpive të tyre, ndërsa institucionet nuk arrijnë t’i mbrojnë.

Profesori ka përmendur se, sipas të dhënave që ka ndarë në postimin e tij, tetë gra janë vrarë si pasojë e dhunës në familje vetëm gjatë këtij viti.

Duke folur për rastin tragjik të Arlinda Zekajt, Ben-Meir ka theksuar se ajo kishte kërkuar ndihmë nga autoritetet, duke paralajmëruar se ndodhej në rrezik për jetën.

Megjithatë, sipas tij, vetëm tri ditë pas kërkesës së saj të fundit për mbrojtje, ajo u vra me sëpatë nga kunati i saj. Rasti lidhet me përpjekjet e saj për ta marrë sërish të birin, i cili ishte marrë nga familja e bashkëshortit.

Ben-Meir e ka cilësuar këtë ngjarje si turp kombëtar për Kosovën, duke theksuar se liria e një vendi nuk mund të konsiderohet e plotë nëse gjysma e shoqërisë nuk e ka të garantuar as të drejtën për të jetuar.

“Një vend që luftoi për lirinë e vet nuk duhet të pranojë kurrë një realitet në të cilin grave të tij u mohohet liria më themelore nga të gjitha: e drejta për të jetuar”, ka shkruar profesori amerikan.

Reagimi i tij rikthen në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për trajtimin me seriozitet të çdo denoncimi për dhunë në familje dhe nevojën për masa konkrete për mbrojtjen e grave, veçanërisht kur ato paralajmërojnë se jeta e tyre është në rrezik./Lajmi.net/