Çfarë tregojnë shifrat e KQZ-së për votimin me asistencë? Rënie prej rreth 40 për qind
Anëtarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Violeta Salihu, ka bërë të ditur se në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 janë evidentuar 3 mijë e 491 raste të votimit me asistencë. Salihu ka thënë se këto raste përbëjnë 0.48 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve që kanë marrë pjesë…
Lajme
Anëtarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Violeta Salihu, ka bërë të ditur se në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 janë evidentuar 3 mijë e 491 raste të votimit me asistencë.
Salihu ka thënë se këto raste përbëjnë 0.48 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje.
“Sipas të dhënave të analizuara, në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 janë evidentuar 3,491 raste të votimit me asistencë, që përbën 0.48% të numrit të përgjithshëm të votuesve”, ka thënë Salihu.
Ajo ka bërë të ditur se analiza ka përfshirë edhe krahasimin e votimit me asistencë ndërmjet zgjedhjeve të dhjetorit 2025 dhe atyre të qershorit 2026.
“Në kuadër të analizës është përfshirë dhe krahasimi i votimit me asistencë ndërmjet zgjedhjeve të 20 dhjetorit 2025 dhe zgjedhjeve të 7 qershorit 2026. Të dhënat tregojnë një rënie të konsiderueshme të rasteve të votimit me asistencë në zgjedhjet e fundit”, ka deklaruar ajo.
Sipas Salihut, në zgjedhjet e dhjetorit 2025 ishin evidentuar 5 mijë e 824 raste të votimit me asistencë, ndërsa në qershor 2026 ky numër ishte 3 mijë e 491.
“Nga 5,824 raste të evidentuara në dhjetor 2025, në zgjedhjet e qershorit 2026 janë evidentuar 3,491 raste, pra 2,333 raste më pak e që përbën një ulje prej rreth 40%”, ka thënë Salihu.
Ajo ka theksuar se analiza përmban edhe rekomandime për përmirësimin e procesit të votimit me asistencë.
“Si përfundim, analiza përmban konkluzione dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e mëtutjeshëm të procesit të votimit me asistencë, të cilat do t’u shërbejnë si bazë për planifikimin dhe organizimin e proceseve të ardhshme zgjedhore”, ka deklaruar Salihu. /Lajmi.net/