Çfarë ndodhi pas vrasjes së Arlindës? – Shumë gra kërkuan ndihmë nga policia, zbulohen shifrat alarmuese!

Vrasja e 49-vjeçares Arlinda Zekaj, më 25 tetor, e cila u vra me sëpatë nga kunati i saj, riktheu në vëmendje problemin e dhunës në familje dhe reagimin e institucioneve ndaj rasteve të raportuara. Rasti i saj tronditi opinionin publik, veçanërisht pasi u bë e ditur se viktima kishte dokumentuar më herët neglizhencën institucionale ndaj…

Lajme

06/11/2026 09:26

Vrasja e 49-vjeçares Arlinda Zekaj, më 25 tetor, e cila u vra me sëpatë nga kunati i saj, riktheu në vëmendje problemin e dhunës në familje dhe reagimin e institucioneve ndaj rasteve të raportuara.

Rasti i saj tronditi opinionin publik, veçanërisht pasi u bë e ditur se viktima kishte dokumentuar më herët neglizhencën institucionale ndaj saj, transmeton lajmi.net.

Por, pas kësaj ngjarjeje tragjike, raportet policore tregojnë se dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një shqetësim serioz.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Kiks Kosova, bazuar në raportet ditore të Policisë së Kosovës nga 26 tetori deri më 2 nëntor, rreth 47 gra iu drejtuan policisë për të raportuar raste të ndryshme të dhunës.

Rastet e evidentuara përfshijnë dhunë fizike dhe psikologjike, kërcënime dhe forma të tjera të keqtrajtimit. Në një numër të konsiderueshëm të tyre, të dyshuar ishin ish-bashkëshortët, të cilët vazhdonin të ushtronin dhunë ndaj ish-partnereve të tyre.

Ndër rastet e raportuara ishte edhe një në Viti, ku një burrë dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj motrës së tij, me ndihmën e vëllait. Po ashtu, në Prishtinë, një burrë dyshohet se e kishte larguar me forcë nga shtëpia bashkëshorten së bashku me foshnjën e tyre.

Në raportet policore figurojnë edhe raste të kërcënimeve ndaj grave me publikimin e video-incizimeve, si dhe raste të dhunës ndaj nënave, motrave dhe vajzave.

Ndërkohë, të dhënat nëntëmujore të Policisë së Kosovës, të siguruara nga Kiks Kosova, tregojnë për përmasat e këtij fenomeni.

Nga janari deri në shtator të vitit 2026 janë regjistruar 1,626 raste të dhunës në familje ku viktima janë gra.

Prej tyre, 154 raste kanë të bëjnë me vajza të mitura, të moshës nga zero deri në 18 vjeç.

Statistikat tregojnë gjithashtu se në 176 raste dhuna është përsëritur, duke bërë që viktimat të kërkojnë ndihmë më shumë se një herë.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Prishtina prin me 550 gra viktima të dhunës në familje, e pasuar nga Peja me 215 raste. Ndërsa pjesa tjetër e rasteve është regjistruar në komunat e tjera të Kosovës.

Këto shifra dëshmojnë se dhuna në familje vazhdon të jetë një problem i përhapur, ndërsa mbetet thelbësore që institucionet të reagojnë me kohë ndaj çdo denoncimi, në mënyrë që rastet e raportuara të mos përfundojnë në tragjedi./lajmi.net/