Çfarë e shtyri të dyshuarin që ta kryejë sulmin terrorist në Zelandë të Re?

Një shtetas australian i moshës 28 vjeçare është akuzuar për vrasjen e 48 personave në dy xhami në qytetin Christchurch të Zelandës së Re.

Lajme

16/03/2019 08:39

Autoritetet e sigurisë e kanë identifikuar Brenton Tarrant si të dyshuar për sulmin terrorist, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Ai po punonte si një trajner personal në qytetin verior të New South Wales dhe ishte i njohur si një “terrorist ekstremist i krahut të djathtë”.

Por çfarë e shtyri atë që ta kryejë aktin terrorist?

Brenton Tarrant para se ta kryejë sulmin, në llogarinë e tij në Facebook ai e kishte publikuar një dosje të quajtur “Zëvendësimi i Madh”.

Gjithashtu në një video ku ai e kishte xhiruar veten, mund të dëgjohej kënga serbe kushtuar kriminelit të luftës Radovan Karadžiq, i cili mbahet i burgosur për gjenocidin e kryer në luftën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ndërsa në dosjen prej 75 faqesh, autori i kishte cilësuar emigrantët si “pushtues” dhe e kishte justifikuar sulmin e tij që do ta kryente, me termin “gjenocid i bardhë”.

Gjithashtu në armën me të cilën e kishte kryer sulmin, ndodheshin mbishkrime me emrat e disa personave të njohur si supremacist të bardhë.

Brenton Tarrant pretendon se gjatë udhëtimeve të tij, ai kishte kontaktuar me vrasësin e njohur norvegjez, Anders Breivik, i cili i kishte dhënë bekimin atij për kryerjen e këtij sulmi ku mbetën të vdekur 49 persona.

Tarrant fajësoi imigrimin masiv për çrregullimin e racës dhe kulturës europiane, e cila sipas tij, nuk është në gjendje të kthehet në shëndetin dhe prosperitetin e mëparshëm.

Motivi i tij për të marrë kaq shumë jetë të personave të pafajshëm ishte hakmarrja ndaj “pushtuesve” që sipas tij ishin përgjegjës për shkaktimin e mijërave vrasjeve në kontinentin e Europës gjatë gjithë historisë.

Për t’u informuar më shumë rreth këtij sulmi terrorist, klikoni në linkun e mëposhtëm.