Çfarë do të ndodhë kur Mbretëresha Elizabeth të ndahet nga jeta? Zbulohet dokumenti i fshehtë

Për t'iu përgjigjur kësaj mundësie, "Operacioni Ura e Londrës" kërkon që të vendoset një operacion sigurie për të menaxhuar mbipopullimin e mundshëm.

Fun

05/09/2021 15:57

Mbretëria e Bashkuar ka një plan sekret për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, duke përfshirë një shërbim përkujtimor me Kryeministrin, që duhet të duket “spontan”, si dhe përgatitjet për gjendjen e krizës, nëse Londra mbushet me vajtues, sipas dokumenteve të zbuluara së fundmi.

I quajtur “Operacioni Ura e Londrës”, plani përshkruan në detaje të hollësishme atë që do të ndodhë në 10 ditët e para pas vdekjes së monarkes 95-vjeçare, e cila aktualisht është në gjendje të mirë shëndetësore, raportoi Politico të premten.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është duke u përgatitur për një krizë, me një memorandum që paralajmëron se Londra mund të tronditet ose “mbushet” nga shumë njerëz që vërshojnë qytetin për të mbajtur zi për mbretëreshën, duke shkaktuar kaos në transportin publik, aksesin në ushqim, polici dhe më shumë.

Për t’iu përgjigjur kësaj mundësie, “Operacioni Ura e Londrës” kërkon që të vendoset një operacion sigurie për të menaxhuar mbipopullimin e mundshëm.

Një skicë e planit tregon gjithashtu se, pas njoftimit zyrtar të Kryeministrit për vdekjen e Mbretëreshës, një shërbim që e nderon atë, do të mbahet në Katedralen e Shën Palit.

Kryeministri dhe disa ministra të lartë janë planifikuar të marrin pjesë, por memoriali thuhet se duhet të duket “spontan”, sipas dokumenteve.

Familja mbretërore do të lëshojë një “njoftim zyrtar” për të paralajmëruar publikun dhe ka skenarë se si zyrtarët duhet të paralajmërojnë të tjerët për lajmet.

Ekzistojnë gjithashtu plane që të gjithë flamujt përgjatë rrugës Whitehall të ulen në gjysmështizë 10 minuta pasi të jepet lajmi.

Sa i përket mediave sociale, raporton Politico, “Faqja e internetit e familjes mbretërore do të ndryshojë në një faqe të zezë me një deklaratë të shkurtër që konfirmon vdekjen e mbretëreshës. Faqja e internetit e qeverisë britanike – GOV.UK – do të shfaqë një flamur të zi në krye. Të gjitha faqet e departamenteve qeveritare në mediat sociale do të tregojnë gjithashtu një flamur të zi.”

Kryeministri do të jetë zyrtari i parë qeveritar që do të bëjë një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes do të organizojë përshëndetjet me armë dhe do të shpallet një minutë heshtje për kombin. /Lajmi.net/