Çështja e të pagjeturve, kërkohet t’i bëhet presion Beogradit për hapjen e arkivave
Mes mureve të mbushura me fotografi, ku çdo fytyrë flet pa zë, Gjylë Haziri qëndron çdo ditë përballë kujtimeve që nuk plaken kurrë, duke bartur mbi supe dhimbjen e qindra familjeve që ende presin të vërtetën në Mitrovicë. Në këtë hapësirë heshtjeje dhe lutjeje, ajo e ka shndërruar pikëllimin në forcë dhe pritjen në një betejë të…
Lajme
Mes mureve të mbushura me fotografi, ku çdo fytyrë flet pa zë, Gjylë Haziri qëndron çdo ditë përballë kujtimeve që nuk plaken kurrë, duke bartur mbi supe dhimbjen e qindra familjeve që ende presin të vërtetën në Mitrovicë.
Në këtë hapësirë heshtjeje dhe lutjeje, ajo e ka shndërruar pikëllimin në forcë dhe pritjen në një betejë të pandalur për drejtësi.
Duke folur për KosovaPress, ajo rrëfen se në këtë hapësirë dhimbjeje dhe shprese mban gjallë zërin e prindërve që ende presin një lajm, duke e kthyer pritjen në qëndresë dhe kujtesën në mision.
Prej 1 mijë e 570 personave të zhdukur, prej tyre 104 janë nga Mitrovica.
Ajo tash e 21 vite shërben në Shoqatën “Zëri i Prindërve”, në Mitrovicë, shoqatë kjo e themeluar në vitin 2000.
Ajo thotë se fillimi ishte tejet i vështirë, pasi secili mbante plagën e vet nga lufta, dikush burrin e dikush djalin, e disa dhimbje ishin edhe më të rënda për t’u përballuar.
Fillimet kanë qenë të vështira, ua kam besuar të gjithëve dhimbjen
“Në fillim ka qenë shumë vështirë, deri i kam marrë gjërat, neve na ka sprovuar Zoti të gjithëve njësojë dikush burrin, dikush djalin, secili kemi qenë të prekur po ka pasur raste më të rënda, kur i mendoja disa raste më të rënda, besomë që nuk ka qenë e lehtë të kyçem e të punoj në këtë shoqatë e të rri vetëm me këto fotografi gjithë ditën. E gjithë ditën sikurse bisedon me ata, kjo ka qenë sikurse e bënë një bisedë vetëm me ta por Zoti po të ndihmon, familjarët më kanë përkrahur gjithë, i kam trajtuar të gjithë sikur me i pas anëtarë të familjes, ja kam besuar dhimbjen, i kam ofruar e i kam nderuar edhe i kam ndihmuar se çka është përpjekur prej meje unë i kam ndihmuar në maksimum”, thekson ajo.
Në rrëfimin e saj, ajo kujton Bajram Çerkini si person që nuk ndalonte kurrë, duke kërkuar fakte dhe drejtësi për secilin prej të zhdukurve. Përtej humbjes së tij, ai mbeti një dritë që udhëheq punën e shoqatës dhe mbajtjen gjallë shpresën për familjet e prekura.
Prej 1590 persona të zhdukur, numri tash është në 1570, prej tyre 104 nga Mitrovica
“Ai njeri kurrë nuk ka ditë me u lodhë, veç gjithmonë këtë çështje ka menduar me quar përpara, vetëm drejtësi, ka lyp fakte konkrete, ka lyp incizime, ka thënë unë nuk ndalna deri nuk e ka përmend vetëm djalin e vet asnjëherë por gjithmonë në emër të familjarëve 1590 ka qenë e tash janë ra në 1570 të zhdukur, por në Mitrovicë sidomos tash janë 104 të pagjetur ku kanë qenë 307, ku përmes ADN-së, Kryqit të Kuq ndërkombëtarë, shoqatave ndërkombëtare i falënderojë shumë ku përmes tyre përmes komisionit qeveritarë kemi arritur me e zvogëluar numrin deri në 104 për momentin”-potencoi ajo.
Gjylë Haziri thekson se kërkesa e familjarëve mbetet drejtësia, duke theksuar se ata janë viktima dhe se agresori dihet. Sipas saj, kjo çështje nuk duhet të ndalet dhe as të politizohet, por të trajtohet në mënyrë humane dhe njerëzore.
Bëjmë apel që mos të bëhet politike kjo çështje
“Na po drejtësi, na jem viktima, agresori kush është e dimë krejt, na duhet tash mos me u ndal, se me u ndal agresori tani çka, na duhet me lypë drejtësi edhe është humane, aman ju bëjë apel çdo kujt që mos të bëhet politike kjo çështje por sa më shumë humane, njerëzore edhe për të mirë e njerëzve se po shkojnë njerëzit pa i gjetur të dashurit e tyre edhe s’ka shkuan dy dekada”- tha ajo
Gjylë Haziri vlerëson se procesi i gjetjes së të pagjeturve do të zgjasë ende, pasi sipas saj shteti serb po refuzon të hapë arkivat, ndonëse i posedon të gjitha të dhënat, përfshirë edhe inçizime satelitore.
Sipas Hazirit, familjarët jetojnë në ankth të përhershëm, pa festa e pa gëzim, sepse për ta nuk ka as Bajram e as Vit të Ri derisa të marrin një lajm për më të dashurit e tyre.
Të bëjnë presion mbi Beogradin le t’i hapin arkivat
“Periudhë e gjatë ka me shkua deri të gjenden se shteti serb nuk po donë me i tregu arkivat e veta se ata i kanë edhe incizimet satelitore krejt ata me dashtë për një muaj krejt i qesin se ku janë por nuk po donë me i hap arkivat edhe për këtë bëjë apel për këtë fundvit institucionet tona le të bëjnë presion me institucionet ndërkombëtare bashkë trysni mbi Beogradin le t’i hapin arkivat le t’i qesin dosjet le t’i gjejnë varrezat masive ku janë dhe t’i rehatojnë njerëzit njëherë e përgjithmonë e mos të presin me ankth për më të dashurit e tyre se për ta po të kallëzoj drejt se në mesin e tyre edhe unë e ndajë dhimbjen me ta por nuk është sikur une që nuk kam mesin e të pagjeturve e sikur ai që e ka fëmijën, për ta nuk ka as bajram as vit të ri as nuk ka festë as nuk ka asgjë deri te merr një lajm për më të dashurin e ti”- përfundoi Haziri.
Në heshtjen e zyrës dhe mes përpjekjeve të pandërprera, rrëfimi i Gjylës Haziri mbetet një dëshmi e paçmuar e qëndresës dhe përkushtimit. Ajo tregon se dhimbja mund të shndërrohet në forcë, ndërsa shpresa për të gjetur të zhdukurit nuk shuhet, duke lënë pas një trashëgimi të pakapshme për të gjithë ata që presin drejtësi dhe kujdes njerëzor.