Certifikimi i rezultateve, Time Kadrijaj: Ligji obligon ministrat e zgjedhur deputetë të japin dorëheqje

Deputetja e rizgjedhur Time Kadrijaj ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me zbatimin e Ligjit për Qeverinë, duke theksuar se ligji nuk mund të jetë çështje interpretimi politik, por detyrim për të gjithë zyrtarët. Kadrijaj ka theksuar se Neni 26 i Ligjit për Qeverinë përcakton qartë se çdo anëtar i Qeverisë në detyrë, i…

Lajme

08/07/2026 13:16

Deputetja e rizgjedhur Time Kadrijaj ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me zbatimin e Ligjit për Qeverinë, duke theksuar se ligji nuk mund të jetë çështje interpretimi politik, por detyrim për të gjithë zyrtarët.

Kadrijaj ka theksuar se Neni 26 i Ligjit për Qeverinë përcakton qartë se çdo anëtar i Qeverisë në detyrë, i cili zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës, duhet të japë dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, kjo dispozitë nuk parasheh përjashtime dhe zbatohet edhe për kryeministrin, pasi ai është pjesë e Qeverisë dhe i nënshtrohet të njëjtave detyrime ligjore si ministrat.

“Ligji nuk është çështje interpretimi politik, ai është detyrim. Neni 26 i Ligjit për Qeverinë nuk lë asnjë hapësirë për dilemë. Ai përcakton qartë se çdo anëtar i Qeverisë në detyrë, i cili zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, ka shkruar Kadrijaj.

Ajo ka shtuar se në një shtet demokratik ligjet nuk mund të zbatohen sipas interesit politik apo sipas personit që ushtron funksionin, duke theksuar se parimi i barazisë para ligjit kërkon që çdo zyrtar publik të respektojë detyrimet ligjore.

Në fund, Kadrijaj ka paralajmëruar se çdo shmangie nga zbatimi i Nenit 26 krijon një precedent të rrezikshëm, që sipas saj cenon sigurinë juridike, besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe parimin se askush nuk është mbi ligjin.

“Ligji duhet të respektohet. Jo të interpretohet sipas nevojës politike të ditës”, ka përfunduar ajo.

Ky është postimi i plotë i saj:

Ligji nuk është çështje interpretimi politik ai është detyrim.

Neni 26 i Ligjit për Qeverinë nuk lë asnjë hapësirë për dilemë. Ai përcakton qartë se çdo anëtar i Qeverisë në detyrë, i cili zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Kjo dispozitë nuk bën përjashtime. Kryeministri është anëtar i Qeverisë dhe, si i tillë, i nënshtrohet të njëjtit detyrim ligjor si çdo ministër.

Në një shtet demokratik, ligjet nuk mund të zbatohen sipas interesit politik apo sipas personit që ushtron funksionin. Parimi i barazisë para ligjit kërkon që çdo zyrtar publik, pa dallim, të respektojë detyrimet që i imponon ligji.

Nëse kërkojmë sundim të ligjit, ai duhet të fillojë nga institucionet më të larta të shtetit. Çdo shmangie nga zbatimi i Nenit 26 krijon një precedent të rrezikshëm, që cenon sigurinë juridike, besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe vetë parimin se askush nuk është mbi ligjin.

Ligji duhet të respektohet. Jo të interpretohet sipas nevojës politike të ditës./lajmi.net/