Çerdhja “Yllka” paraqet rrezik, Komuna e Prishtinës i transferon fëmijët në tjera për disa muaj

Për disa muaj çerdhet publike në Prishtinë do të jenë edhe më të ngarkuara. Kjo ngase në çerdhen “Yllkat” janë vërejtur plasaritje.

Lajme

14/02/2018 15:27

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, me kërkesë të Drejtorisë Komunale të Arsimit, Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave ka caktuar një komision të përbërë nga 3 inxhinierë të ndërtimtarisë, për ta vizituar çerdhen “Yllkat” në lagjen Vellusha, për shkak sa janë vërejtur disa plasaritje në objekt.

Objekti i kësaj çerdheje është ndërtuar në vitin 1984, dhe ka kapacitet për 220 fëmijë.

“Gjatë kontrollimit, inxhinierët kanë vërejtur se ky objekt tashmë është shumë i dëmtuar, dhe se paraqet rrezik për fëmijët dhe stafin e çerdhes. Në disa pjesë të themeleve, janë vërejtur plasaritje të theksuara, kurse brenda objektit plasaritjet janë edhe më të thella dhe janë horizontale, gjë që dëshmon se themelet e objektit “”kanë fjetur””, ka bërë të ditur Komuna.

Po ashtu, në njërën prej dhomave të fëmijëve ka lëvizur pllaka e dyshemesë. Kësisoj, komisioni i përbërë nga 3 inxhinierë të ndërtimtarisë, ka vlerësuar se: “Dëmtimet në këtë objekt janë jashtëzakonisht të mëdha, andaj propozojmë që urgjentisht të merren masat si preventivë – largimi i fëmijëve dhe personelit me qëllim të evitimit të pasojave eventuale”.

Bazuar në këtë vlerësim të komisionit, Komuna e Prishtinës ka vendosur që t’i largojë fëmijët dhe stafin nga ajo çerdhe, dhe t’i zhvendosë përkohësisht në çerdhe të tjera, në konsultim edhe me prindërit dhe grupet e interesit.

Komuna njofton se, objekti çerdhes “Yllkat” do të rrënohet, dhe do të ndërtohet një çerdhe e re në këtë lagje. /Lajmi.net/

27752213_1805455246166357_1679011798290803381_n 27752535_1805455229499692_8206029371750167339_n 27857866_1805455232833025_3880491312085175383_n 27858494_1805455299499685_2664713173209044546_n 27867512_1805455302833018_8681764964835198391_n 27972448_1805455306166351_7540237093806036794_n