“Çele gur gojën”, nga Vetëvendosje pa koment pasi opozitarët deklarohen të gatshëm për bashkëpunim koalicioni
Zgjedhjet e 9 shkurtit kanë prodhuar një rezultat që imponon një koalicion në mes të partive politike për t’i formuar institucionet e reja. Deri me tani partitë kanë treguar pak vullnet për një gjë të tillë me opozitën që dje la të nënkuptoi koalicion mes partive për formimin e Qeverisë. Subjektet politike opozitare kanë treguar…

Lajme
Zgjedhjet e 9 shkurtit kanë prodhuar një rezultat që imponon një koalicion në mes të partive politike për t’i formuar institucionet e reja. Deri me tani partitë kanë treguar pak vullnet për një gjë të tillë me opozitën që dje la të nënkuptoi koalicion mes partive për formimin e Qeverisë.
Subjektet politike opozitare kanë treguar se nuk bashkëpunojnë me VV-në, kurse kjo e fundit nuk i ka numrat për konstituimin e institucioneve gjë që ka ngjallur shqetësime për një krizë dhe zvarritje institucionale në Kosovë.
Kjo zvarritje mund të nënkuptohet lehtë edhe sot nga kandidatët e VV-së për deputetë që tashmë kanë siguruar ulëset në kuvend, Dimal Basha, Haxhi Avdyli, Nezir Kraki e Bylbyl Sokoli.
Katërshja e VV-së nuk dhanë asnjë prononcim në lidhje me atë se si partia e tyre mund të arrijë ta formojë Qeverinë.
“Nuk mund të flasim”, “Nuk kemi komente rreth kësaj teme”, “Flasim pas certifikimit” – këto ishin disa nga përgjigjet e shkurta kur lajmi.net i kontaktojë ata rreth mënyrës së formimit të institucioneve të reja.
Ata nuk komentuan as deklaratat e mbrëmshme të Abdixhikut dhe Bedri Hamzës që la të nënkuptohet se opozita po bashkohet për formimin e një Qeverie të re.
Kështu mbrëmë liderët e dy partive opozitare PDK-së, Bedri Hamza dhe nga LDK-së, Lumir Abdixhiku mohuan kategorikisht një bashkëpunim me VV-në për formimin e institucioneve të reja, kjo pasi thonë i ka dëmtuar ata në koalicionet e mëparshme dhe se nuk kanë vullnet politikë të bashkëpunojnë për një qeveria afatshkurte.
Hamza tha se më parë bëhet qeveria me opozitë, sesa me Lëvizjen Vetëvendosje, kjo pasi ka shumë dallime në programin e tyre politike me PDK-në.
Hamza rikonfirmon: Më e mundshme qeveria nga opozita, s’bashkëpunojmë me VV-në
“Dallimi konceptual, politik, programor, edhe përtej numrave, do të thotë se janë arsyet kryesore se pse ne kemi deklaruar që me Vetëvendosjen nuk mundemi me qenë bashkë në qeverisje”.
“Ne e kemi bërë të qartë, nuk mund të qeverisim bashkë për shkak dallimeve që i kemi. Kemi shumë dallime, në rritjen e pagave, rritjen e pensioneve, çështjen e energjisë, kemi dallime të mëdha”, tha Hamza.
Tutje ai tha se nëse Opozita krijojnë bashkë qeverinë, bëhen 52 numra, 10 i marrim nga minoritetet joserbë.
“Më e mundshme, për shkak të programeve, për shkak të numrave është që opozita të krijojë qeverinë, sesa ta krijojë Lëvizja Vetëvendosje. Nëse opozita bëhet bashkë bëhen 52 numra, 10 i marrim nga minoritetet joserbë. Me Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka”, tha Hamza
Ndërkaq, po i të njëjtit mendim ishte edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se vazhdojnë të përkrahin mendimet e tyre paraelektorale se nuk do të bashkëpunojnë me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
LDK me vija të kuqe për VV-në: Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunim me ta
“Pozicionet tona të tanishme që i keni dëgjuar edhe gjatë fushatës. Nuk kemi pas asnjë takim me asnjë prej partive politike, sidomos me partinë në pushtet. LDK ka të qarte pozicionin politik karshi VV-së. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunim me ta”, ka thënë Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka thënë se nuk pranojnë asnjë koalicion ku nuk e kanë partinë e kryeministrit.
Abdixhiku ka shtuar se nuk janë të interesuar për një qeveri afatshkurtër, pasi sipas tij këtë e kanë bërë njëherë dhe i ka dëmtuar në elektorat.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, sërish ka refuzuar të flas për konsultimet për formimin e qeverisë së re.
Kurti refuzon të përgjigjet për konsultimet e formimit të qeverisë së re
Ai tha shkurt dje se po presin certifikimin e rezultateve zyrtare dhe më pas VV-ja bashkë më të, të formojnë qeverinë e re.
“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimit, pastaj bisedimet. Qeveria e sigurt e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, u shpreh Kurti para gazetarëve.
Kujtojmë se të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë kishin 1 milion e 970 e 944 persona, prej të cilëve kanë marrë pjesë rreth 40 për qind.
Sipas rezultateve përfundimtare, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.
Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.
Si partia e parë, Vetëvendosje ka fituar 42.27 për qind, duke i siguruar 48 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partnerët të katër./Lajmi.net/