Çeku pranon rezultatin: Do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës – urime Ramës dhe uroj të dal Prishtina nga kaosi që është futur
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas përfundimit të balotazhit, ku fitues doli kandidati i LDK-së, Përparim Rama. Në një postim falënderues, Çeku u shpreh mirënjohës për përkrahjen e qytetarëve dhe ekipit të tij gjatë fushatës. “Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë…
Lajme
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas përfundimit të balotazhit, ku fitues doli kandidati i LDK-së, Përparim Rama.
Në një postim falënderues, Çeku u shpreh mirënjohës për përkrahjen e qytetarëve dhe ekipit të tij gjatë fushatës.
“Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë,” ka shkruar ai.
Çeku e ka uruar kundërshtarin e tij për fitoren, duke shprehur shpresën për një të ardhme më të mirë për kryeqytetin.
“E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur,” ka thënë ai.
Në fund, kandidati i Vetëvendosjes është zotuar se do të vazhdojë angazhimin për qytetin nga opozita.
“Si Lëvizje Vetëvendosje!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve… duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund,” ka deklaruar Çeku, duke theksuar se rrugëtimi për një “Prishtinë më të mirë” do të vazhdojë./lajmi.net/