Capussella: Performanca e EULEX-it më e keqe sesa e UNMIK-ut

Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka pasqyruar në një artikull të fundit opinionet e shefit të njësisë për ekonomi në Zyrën Civile Ndërkombëtare, Andrea Capussella, dhe të kryeadministratorit të Kosovës në vitin 2004-06, Soren Jessen-Petersen.

Lajme

07/11/2014 16:39

Ish shefi i UNMIK-ut, Jessen Petersen ka treguar se vazhdimisht kishte hasur në rezistencën e Perëndimit për të kërkuar mbrojtje për partnerët e tyre dhe aleatëve në mesin e liderëve të Kosovës, teksa përmend një shembull të vitit 2005. Capussella, ndërkaq, ka thënë se skandali i tanishëm i EULEX-it është vetëm një pjesë e vogël e problemeve që ka ky mision. Sipas tij, performanca e EULEX-it ishte më e keqe sesa ajo e UNMIK-ut, sepse drejtuesit e saj ishin të lidhur ngushtë me kryeministrin Hashim Thaçi.

Misioni 1 miliard euro i Bashkimit Evropian, që ishte formuar në Kosovë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, raportohet se vazhdimisht u është shmangur ose ka hedhur poshtë hetimet në rastet që implikonin politikanët kryesorë të Kosovës, thuhet në hetimin e ri për EULEX-in, shkruan “Guardian”.

Në një analizë në librin e tij të ardhshëm, Andrea Capussella ka thënë se skandali i tanishëm i EULEX-it është vetëm një pjesë e vogël e problemeve që ka ky mision.

Capussella ka analizuar 15 raste në të cilat EULEX-i kishte bërë aktakuza, katër nga të cilat përfunduan me dënime, me një mesatare prej 2.5 aktakuzave, dhe një dënimi me një vit burgim.

“Duke marrë parasysh se sa është i përhapur korrupsioni politik dhe krimi i organizuar në Kosovë, këto rezultate nuk janë adekuate”, ka thënë Capussela, duke argumentuar se misioni kishte “shpërfillur mandatin e tij”.

Në tetë raste të njohura, për të cilat Capussela thotë se kishte “prova të forta që tregonin për krimet serioze që ishin kryer”, EULEX-i nuk ka lëshuar asnjë aktakuzë dhe asnjëherë nuk ka nisur hetime për këto raste.

Nga 15 rastet për të cilat EULEX-i ka ngritur aktakuza, Capussella argumenton se shtatë prej tyre janë detyruar nga presioni i jashtëm, transmeton koha.net.

Një hetues kosovar është pajtuar me konkludimet e Capussella-s. Duke folur në kushte anonimiteti për The Guardian, ai ka thënë se hetimet që përfshinin figurat qeveritare, menjëherë janë stopuar nga institucioni ndërkombëtar që supozohet se do sillte rendin dhe ligjin në Kosovë.

Capussella ka theksuar se performanca e EULEX-it ishte më e keqe sesa ajo e UNMIK-ut, sepse drejtuesit e saj ishin të lidhur ngushtë me kryeministrin Thaçi.

“EULEX-i erdhi këtu për të krijuar rend dhe ligj, por ata u ‘zbutën’”, ka thënë Ilir Deda, deputet i Vetëvendosjes për The Guardian.

“Është e pabesueshme sesi ata dështuan në një shoqëri që ishte pro-perëndimore, pro-demokratike. Por korrupsioni ishte rritur shpejt para syve të EULEX-it. Kemi bërë shumë hapa prapa”, ka shtuar ai.

Deda ka thënë se ka përvojë të madhe për dështimin e Perëndimit për të luftuar korrupsionin. Ai ishte këshilltar i qeverisë në vitin 2004, kur u njoftua për korrupsionin e zyrtarëve të lartë në Zyrën e Kryeministrisë.

Për shqetësimet e tij ai e njoftoi UNMIK-un, por asnjëherë nuk ishin nisur hetimet.

Soren Jessen-Peteresn, i cili udhëhoqi UNMIK-un gjatë viteve 2004-06, ka thënë se vazhdimisht kishte hasur në rezistencën e Perëndimit, i cili kërkonte mbrojtje për partnerët dhe aleatët e vet në mesin e liderëve të Kosovës.

Ai ka thënë se vazhdimisht është telefonuar nga zyrtarët e Perëndimit për t’ia ndërruar mendjen që të mos niste operacione të profilit të lartë.

“Kah mesi i vitit 2005, pas disa muaj hetimesh për dyshime për korrupsion dhe krim të organizuar mes politikanëve kosovarë, UNMIK-i ishte duke punuar në një operacion të kujdesshëm së bashku me KFOR-in”, ka thënë ai.

“Vetëm pak orë para se të fillonte operacioni, unë pranova një telefonatë nga NATO se anëtarët e shteteve të rëndësishme ishin të mendimit se operacioni ishte shumë i rrezikshëm dhe se NATO duhej ta ndalte atë”, ka theksuar ai.

“Ne nuk patëm zgjidhje tjetër veçse ta ndalnim operacionin, sepse nuk patëm përkrahje. Ne vazhduam hetimet në mënyra tjera, por asnjëherë nuk patëm fakte që rastet t’i dërgojmë në gjykatë”. (koha.net)