Çanak: Serbia s’ka një alternativë të qartë politike – Kosovën e përdorin për të hutuar njerëzit
Politikani serb nga Vojvodina që njeh pavarësinë e Kosovës, Nenad Çanak, në një bisedë për “Euronews Albania”, deklaroi se në Serbi mungon një alternativë e qartë politike dhe se lëvizja studentore vazhdon të jetë pa drejtim të unifikuar. Ai solli në vëmendje edhe mundësinë që figura publike me ndikim, si tenisti Novak Gjokoviq, të mund…
Lajme
Politikani serb nga Vojvodina që njeh pavarësinë e Kosovës, Nenad Çanak, në një bisedë për “Euronews Albania”, deklaroi se në Serbi mungon një alternativë e qartë politike dhe se lëvizja studentore vazhdon të jetë pa drejtim të unifikuar.
Ai solli në vëmendje edhe mundësinë që figura publike me ndikim, si tenisti Novak Gjokoviq, të mund të shfaqen si simbol i ndryshimit politik në vend, megjithëse sipas tij kjo nuk garanton orientimin që do të marrë Serbia në të ardhmen.
Politikani serb u ndal gjithashtu te përdorimi i çështjes së Kosovës në diskursin politik serb, duke e konsideruar atë si një instrument për të devijuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet e brendshme.
“Dikush si, për shembull, lojtari i tenisit Novak Gjokoviq mund të kthehet në lider të ndryshimit, por e gjitha kjo është e mundur dhe ende nuk jep përgjigje se cilën rrugë do të zgjedhë Serbia. Në Hungari u zgjodh qartë shtegu evropian i drejtuar nga Peter Magyar, ndërsa në Serbi ende nuk e dimë se cilën rrugë do të zgjedhim për të ardhmen”.
“Kosova është mënyra më e mirë, ashtu siç ka qenë për 40 vitet e fundit, për të hutuar njerëzit dhe për të devijuar vëmendjen e tyre, duke thënë se duhet të mbrojmë qytetarët serbë në Kosovë, ndërkohë që harrohet fakti se në Kroaci apo në vende të tjera pothuajse nuk ka më serbë. Kjo politikë i shërben kujtdo që nuk është i interesuar për sundimin e ligjit në Beograd”, u shpreh Çanak.
Tutje, ai vazhdoi të flasë për Kosovën në diskursin politik nga liderët në Serbi, duke thënë se kjo temë është kartë e fortë vazhdimisht për ngjarjet në Serbi.
“Çështja e Kosovës është një kartë shumë e fortë për t’u përdorur për çdo gjë që ndodh në Serbi. Kushdo që flet për njohjen e pavarësisë së Kosovës, automatikisht mbetet jashtë mediave dhe jashtë vëmendjes së publikut. Ky është fati i të gjitha opsioneve civile në Serbi. Vetëm retorika nacionaliste lejohet të ekzistojë”.
“Kjo është arsyeja pse në Serbi është kaq e vështirë që njerëzit të përballen me faktin se, për shembull, në Mal të Zi ka paga dhe pensione më të larta sesa në Serbi, ndërkohë që 20 apo 30 vite më parë ndodhte e kundërta. Ndërsa sot, për lëvizjen studentore askush nuk e di saktësisht çfarë përfaqëson ajo. Nuk ka një lider të qartë dhe nuk ka një agjendë të përcaktuar”, tha Nenad Çanak.
Në Beograd, mbrëmjen e sotme është mbajtur një protestë masive e lëvizjes studentore kundër pushtetit të Alleksandar Vuçiqit. Në protestë raportohet se morën pjesë mbi 100 mijë njerëz.