Cameron: OK, atëherë do të ketë sanksione shtesë kundër Rusinë

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka paralajmëruar Rusinë se veprimet e saj në lindje të Ukrainës janë të papranueshme, dhe se sjelljet e tilla ruse, mund të rezultojnë me sanksione shtesë ndaj Rusisë, nga ana e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Bota

14/11/2014 13:40

Cameron i ka bërë këto komente gjatë një konference për media në Australi, një ditë para se të fillojë samiti i Grupit 20 (G20) në Brisbanë të këtij shtetit, ku po ashtu pritet të marrë pjesë presidenti rur, Vladimir Putin.

“Shpresoj që Rusia të bëhet e arsyeshme dhe të kuptojë që duhet lejuar Ukrainën të jetë një shtet i zhvilluar, i pavarur dhe i lirë për të marrë vendime”, u ka thënë Cameron gazetarëve, raporton RFE.

Kryeministri britanik ka shtuar se nëse Rusia merr një qasje pozitive ndaj Ukrainës, atëherë Perëndimi do të mund të konsiderojë heqjen e sanksioneve ndaj saj.

“Por nëse Rusia vazhdon me këtë qasje, atëherë ne do të konsiderojmë zgjerimin e sanksioneve ndaj saj”, ka ka thënë Cameron.

Pak kohë para deklaratës së Cameron, presidenti rus, Vladimir Putin, i cili po ashtu do të merr pjesë në Samitin e G20, ka thënë se sanksionet e kanë dëmtuar Rusinë, mirëpo jo aq sa të shkatrrojnë ekonominë ruse.

Ai ka thënë se sanksionet do ta dëmtojnë edhe tregtinë globale, dhe se Rusia është në gjendje t’i përballojë, pasi sipas tij, Moska ka rezerva të mëdha për tejkalimin e situatave të tilla.