Cakolli: KQZ dështoi – zvarritja e procesit u konvenon partive për shkak të rezultatit zgjedhor
Eugen Cakolli nga Demokraci në Veprim ka folur për zgjedhjet e 9 shkurtit, rezultatet preliminare, deputetët e fituar nga partitë, rezultatet përfundimtare, ndikimin e votave të diasporës në rezultatin zgjedhor dhe mundësinë për të shkuar në zgjedhje të reja. Ai thotë se KQZ ka dështuar dhe kjo vjen për dy arsye. “Ngjashëm sikur në vitin…

Lajme
Eugen Cakolli nga Demokraci në Veprim ka folur për zgjedhjet e 9 shkurtit, rezultatet preliminare, deputetët e fituar nga partitë, rezultatet përfundimtare, ndikimin e votave të diasporës në rezultatin zgjedhor dhe mundësinë për të shkuar në zgjedhje të reja. Ai thotë se KQZ ka dështuar dhe kjo vjen për dy arsye.
“Ngjashëm sikur në vitin 2019 ku Nisma për 28 vota kishte arritur që ta kalojë pragun, edhe këtë proces zgjedhor jemi në vonesa të paarsyeshme, jo vetëm që kanë hedhur një hije të keqe vet procesit zgjedhor, por për më keq kanë hedhur mosbesim jo vetëm ndaj KQZ-së por edhe ndaj rezultatit zgjedhor në tërësi. Akuzat, kundërakuzat dhe ky ping-pongu në mes të KQZ-së e kompanisë që e ka përgatitur softueri dhe përfshirja e akterëve politikë vetëm sa i ka kontribuuar më shumë degradimit të situatës. Në vlerësimin tonë situata ka qenë e qartë, por pas përfundimit të votimit, KQZ-ja ka dështuar dhe dështimi i saj vie për dy arsye: së pari, KQZ nuk ka pasur plan alternativ për një situatë të tillë, kur serverët mund të dështojnë, pra edhe vendeve shumë më demokratike se ne, u kanë dështuar serverët apo aplikacionet tjera”, ka thënë Cakolli.
Si interesante e sheh rënien e softuerëve kur VV ka qenë mbi 55 për qind.
“Po flasim për 1 milion qytetarët që kanë mundur të jenë dhe është jorelevant për kompani që gjenerojnë serverë për më shumë kapacitete. Megjithatë, përkundër disa pikëpyetjeve që e kanë karakterizuar këtë proces, në radhë të parë është interesant kur kanë rënë softuerët, pra kanë rënë në një periudhë ku një parti politike në këtë rast VV, ka qenë mbi 55 për qind, së dyti ka pasur rezultate të papërputhshme brenda kësaj databaze”, është shprehur ai.
Sipas tij, ka shumë pikëpyetje se pse është ndërprerë pikërisht aty faqja e KQZ-së dhe si nuk ka pasur KQZ mekanizma mbrojtës.
“Në vlerësimin tonë ka shumë pikëpyetje të cilat edhe mund të mos çojnë në një skenar të caktuar por ideja që është ndërprerë aty, lë hapësira dyshime në radhë të parë se si KQZ nuk ka pasur mekanizma për ta garantuar që dikush nuk mund të fus të dhëna kot në databazë pa qenë të përputhshme me numrin e votuesve”, ka potencuar Cakolli për BlicInterview.
Ai shton se heshtja e KQZ-së ka qenë problemi më i madh lidhur me gjithë rastin.
“Problemi më i madh ka qenë heshtja e plotë e KQZ-së. Besoj se do të duhej që KQZ ta qartësojë nëse ka pasur ndërprerje të njëanshme, për shkak se ajo që bie në sy është që faqja e KQZ-së ka qenë duke punuar por jo uebsajti që është për rezultate”, ka theksuar Cakolli nga DnV.
Por, a mund të kemi rinumërim të votave?
“Subjektet politike janë duke kaluar nga narrativa e mbrëmjes së zgjedhjeve kur e vlerësuan pozitivisht procesin, i pranuan rezultatet dhe renditjen, drejt një narrative mosbesuese, që si diskurs mendoj se mund të ketë kërkesa ose qëndrim zyrtar që rezultatet e zgjedhjeve nuk e reflektojnë vullnetin qytetar”, ka vlerësuar ai.
Cakolli ka përmendur se partitë kanë nisur me deklarata se mund të ketë pasur ndërhyrje e manipulime të votave.
“Ne kemi parë tashmë hapat e parë. Z.Haradinaj përmendi qartazi rezultatet dhe problemet janë kryekëput për shkak të manipulimeve dhe ndërhyrjes së LVV-së dhe nëse ka trend të tillë, ka lëvizje të votave në disa qendra. Tani ka më shumë vota se që ka pasur në sistem. Ta zëmë, VV është dëmtuar në disa vendvotime, por edhe partitë tjera janë dëmtuar në vendvotime tjera”, ka thënë tutje ai.
Sipas tij, në KQZ ka papërgjegjësi, s’ka sqarime lidhur me gjithë procesin e numërimit të votave.
“Nuk ka sqarim se pse po numërohen votat në disa vendvotime e në disa të tjera jo. S’ka sqarim nga KQZ, është papërgjegjësi e tyre, ata po dyshojnë ende në serverët e tyre që janë hapësira virtuale ku futen këto të dhëna, madje patëm dhe kërkesën e presidentes drejtuar KQZ-së që të merret në konsideratë edhe numërimi manual i të gjitha votave”, ka deklaruar Eugen Cakolli nga DnV.
Ai ka thënë se rezultati i zgjedhjeve nuk po i konvenon partive, andaj dhe zvarritja e procesit u shkon për shtati.
“Asnjëra nga ato qendra s’ka asgjë mangët. Të gjitha i kanë të njëjta si në çdo qendër tjetër por kemi të bëjmë me ndikime politike për të blerë kohë, për shkak se rezultatet që kanë prodhuar zgjedhjet e 9 shkurtit, u imponojnë partive që të diskutojnë me njëra-tjetrën”.