Cadman: Specialja nuk është Tribunal, kemi mundësi tjetër nga Millosheviqi për padi
Toby Cadman, avokat i Nasim Haradinajt gjatë gjithë procesit gjyqësor mbi 4 vjeçar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke folur për padinë që do ta dorëzojnë në Gjykatën e Strasburgut, ka deklaruar se kosovarët e dënuar nga Gjykata Speciale kanë mundësi të ankohen në GjEDNj ndryshe nga serbët apo kushdo tjetër i…
Lajme
Toby Cadman, avokat i Nasim Haradinajt gjatë gjithë procesit gjyqësor mbi 4 vjeçar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke folur për padinë që do ta dorëzojnë në Gjykatën e Strasburgut, ka deklaruar se kosovarët e dënuar nga Gjykata Speciale kanë mundësi të ankohen në GjEDNj ndryshe nga serbët apo kushdo tjetër i dënuar në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, sepse Specialja nuk është krijuar nga OKB.
Cadman tha se të pandehurit e Tribunalit të Hagës kanë paditur këtë institucion në Gjykatën e Strasburgut, por pa rezultat.
“Ajo që kemi parë në të kaluarën është se janë ngritur raste pranë Gjykatës së Strasburgut për Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ku të pandehurit kanë dorëzuar padi, por pa rezultat. Megjithatë mendojmë se ka një dallim thelbësor midis Tribunalit dhe DhSK-së (Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, shën.red.). Sepse Tribunali është krijuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe nuk kanë mundur të përdoren argumente të mjaftueshme në këtë rast kundër Holandës”, tha ai.
“Për shembull, Sllobodan Millosheviqi ka dorëzuar padi në Gjykatën e Strasburgut që është hedhur poshtë mbi bazën se Holanda nuk ka përgjegjësi, ndërkohë që DhSK-ja ka bazë ligjore krejt tjetër, nuk është Tribunal Ndërkombëtar edhe pse ka bazë një marrëveshje ndërkombëtare, ka një ujdi mes Holandës dhe Kosovës por kjo nuk e bën Tribunal Ndërkombëtar. Është vetëm një Gjykatë vendore që funksionon në territor të huaj ku kontribuojnë edhe shtetet tjera anëtare të BE-së”, ka thënë Cadman, raporton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, mbrojtësi kryesor i Haradinajt flet edhe për ndihmën por edhe ndikimin e shtetit të Kosovës në Gjykatën që e krijoi vetë në gusht të 2015-ës, kur u përgjigjet dyshimeve se nuk mund të ushtrohet ankesë ndaj këtij institucioni kosovar pa qenë Kosova pjesë e Këshillit të Evropës.
“Ekziston si mundësi, që mund të thonë se është Gjykatë e Kosovës e bazuar në ligjet e Kosovës, por sërish duhet të shikohet se çfarë autoriteti ka Kosova mbi Gjykatën Speciale. Ne e dimë se ka fare pak ndikim ose pak autoritet edhe mbi DhSK-në edhe mbi ZPS-në. Këto funksionojnë tërësisht të pavarura nga shteti i Kosovës dhe GjEDNj do ta ketë shumë të vështirë të thotë se është institucion i Kosovës e Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, do të ishte vendim i gabuar”, deklaroi ai.
Cadman ndau pak detaje se çfarë përmban padia të cilën shpreson ta shqyrtojë Gjykata e Strasburgut.
“Sigurisht sikur që e thashë më parë, as GjEDNj as Grupi Punues i OKB-së nuk lejon që të ngriten çështje kundër individëve apo organizatave, apo edhe organizmave të veçantë brenda autoriteteve të drejtësisë. Qoftë ajo gjykata, prokuroria apo edhe sistemi i paraburgimit. Ne kemi paraqitur disa shkelje që janë bërë, fillimisht për gjykim, procedurat të cilat janë ndjekur, si gjithnjë mungesa e shpalosjes së duhur të dokumenteve, mungesa e një hetimi kredibil për burimin e rrjedhjes së dokumenteve, dhe mosrespektimi i të drejtave të njeriut gjatë procesit në Dhomat e Specializuara, e kjo përfshin edhe trajtimin e tij në Qendrën e Paraburgimit. Për këtë duhet të kem kujdes kur flas ngaqë rasti është ende në hapat fillestarë dhe nuk dua të paragjykoj, por kemi disa argumente që i kemi prezantuar”, u shpreh Toby Cadman, avokat i Nasim Haradinajt.