Caceres zbulon sekretet e Italisë

Mbrojtësi i Uruguait, Martin Caceres thotë se do t’i ndihmojë selektorit Oscar Tabarez të përgatitet sa më mirë për duelin me Italinë, duke zbuluar sekretet e bashkëlojtarëve të tij nga Juventus.

Sport

22/06/2014 16:17

Martin Caceres ka thënë se do t’i ndihmojë selektorit të Uruguait, Oscar Tabarez në përgatitje për duelin vendimtar me Italinë duke i dhënë informacione rreth futbollistëve të Juventusit. La Celeste takohen me Azzurrët në Natal të martën, të vetëdijshëm se mund të kualifikohen në fazën tjetër me një fitore.

Caceres iu bashkua Juventusit në janar 2012 dhe bëri të ditur se pret të pyetet nga Tabarez rreth bashkëlojtarëve të tij që janë shumicë në ekipin e Italisë.

“Mendoj se Tabarez do të më kërkojë informata rreth Italisë dhe Juventusit, sidomos bashkëlojtarëve të mi”, deklaroi Caceres për “Gazzetta dello Sport”.

“Të gjithë trajnerët e njohin Andrea Pirlon andaj do t’ia ritheksoj Tabarezit se sa me rëndësi është që ta pengojmë kur është në pronësi të topit. Marchisio bën disa lëvizje standarde dhe këshillat e mija do të jenë shumë të dobishme. Do ta përshkruaj në detaje”, shtoi ai.

“Chiellini është shok i mirë i imi, kurse Barzagli dhe Bonucci janë me përvojë”, përfundoi ai.