“Burrat i veshën me tirq e qeleshe”: Familja Veseli shpëtoi tri familje hebraike
“Tirana nuk ishte më e sigurt në vitin 1941, kështu që im atë siguroi veshje karakteristike krutane për pjesëtarët e tri familjeve hebraike. Udhëtuan për 36 orë me kuaj e mushka, duke u fshehur në pyje gjatë ditës, e duke ecur më shumë natën, drejt Krujës…”. Fatmir Veseli, me profesion fotograf, tregon me krenari historinë…
Lajme
“Tirana nuk ishte më e sigurt në vitin 1941, kështu që im atë siguroi veshje karakteristike krutane për pjesëtarët e tri familjeve hebraike. Udhëtuan për 36 orë me kuaj e mushka, duke u fshehur në pyje gjatë ditës, e duke ecur më shumë natën, drejt Krujës…”.
Fatmir Veseli, me profesion fotograf, tregon me krenari historinë e familjes së tij, që strehoi tri familje hebraike në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Babai i tij, Refik Veseli, në atë kohë ishte 18 vjeç.
Çdo detaj që lidhet me sakrificën, Fatmiri e dëgjoi qindra herë nga i ati, ndërsa vetë bëri gjithçka për të ruajtur lidhjet me familjen e Moshe Mandilit, pasi për fatin e dy të tjerave nuk mori vesh kurrë.
Refik Veseli me dy fëmijët e Moshe Mandilit.
Çdo vit më 27 janar, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, përkatësisht të gjashtë milionë hebrenjve që u vranë nga Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj midis viteve 1941 dhe 1945.
Kjo datë u zgjodh, pasi më 27 janar, 1945, trupat sovjetike çliruan kampin famëkeq të përqendrimit, Auschwitz-Birkenau, në Poloni, që ishte simboli më i tmerrshëm i mizorive naziste.
“Mes varfërisë dhe vështirësive të mëdha, dyert e shtëpisë sonë në Krujë kanë qenë të hapura për hebrenjtë”, thotë Fatmiri, 65-vjeçar, i cili atëkohë nuk ishte i lindur.
Roli i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve
Forcat e Gjermanisë naziste pushtuan Shqipërinë më 1943 dhe kërkuan nga autoritetet lokale që të tregonin emrat e hebrenjve.
Por, ato dhe populli refuzuan ta bënin një gjë të tillë.
Shqipëria ishte vendi i vetëm i pushtuar nga Gjermania, ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me përfundimin e saj, popullata hebraike në Shqipëri u rrit nga disa qindra në dy mijë.
Vendi me shumicë myslimane strehoi kryesisht hebrenj të ikur nga shtetet fqinje.
Sipas të dhënave zyrtare nga Izraeli, përveç një familjeje, të gjithë të strehuarit e tjerë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, shpëtuan.
Arsye për këtë ishte besa – një kod nderi që shqiptarët e praktikojnë prej shekujsh.
“Hebrenjtë i veshi si fshatarë krutanë”
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Fatmiri tregon se Moshe Mandili së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tyre, djalin Gavra dhe vajzën Ela, kishin mbërritur në Tiranë në vitin 1941, pas një sërë vuajtjesh e pasigurish.
Ata kishin jetuar fillimisht në Beograd, ku Moshe kishte studion e tij të fotografisë, e cila jo rrallë vizitohej edhe nga ushtarët nazistë.
Refik Veseli me Gavra Mandili para dyqanit ku punonte si fotograf në Tiranë
Për shkak të frikës se mund të zbuloheshin dhe arrestoheshin, ishin larguar në drejtim të Shqipërisë, pasi kishin dëgjuar se autoritetet i pajisnin me pasaporta hebrenjtë për t’i mbrojtur dhe shpëtuar.
Babai i tij i kishte treguar Fatmirit se familja Mandil kishte rënë në duart e nazistëve gjatë këtij udhëtimi, teksa ndodheshin në Kosovë, dhe se e kishte shpëtuar nga vdekja vetëm një fotografi e fëmijëve të tij para pemës së Vitit të Ri – festë që nuk festohet nga hebrenjtë.
Anëtarët e të tria familjeve hebraike me prindërit e Refik Veselit (gjyshërit e Fatmirit që ka folur për REL-in)
Megjithatë, nazistët i kishin dërguar në një kamp pune në Prishtinë, e më pas i kishin transportuar në një kamp tjetër në Kavajë të Shqipërisë, që atëkohë ruhej nga forcat italiane.
Aty, Moshe Mandil ia kishte dalë të largohej dhe ishte vendosur në Tiranë, ku kishte kërkuar punë në një studio fotografie.
“Rastisi që në studion ku punonte im atë si ndihmës, fotograf ishte një zotëri nga Kosova, Neshat Dizdari, i cili kishte dëgjuar për studion e Mandilit në Beograd dhe i njihte cilësitë e tij. E mori menjëherë në punë. Aty qe njohja e babait tim me Moshe Mandilin”, thotë Fatmiri.
Babai i tij, Refiku, i ka treguar se si me kalimin e muajve, në Tiranë shtohej terrori nga nazistët dhe jeta e familjeve hebraike rrezikohej.
“Familjet Mandil dhe Jozeph, që punonin në një punishte stofrash të xhaxhit tim, duheshin larguar, dhe im atë vendosi t’i çonte në shtëpinë e tij në Krujë. I veshi me rroba karakteristike krutane – burrat me tirq, jelekë dhe qeleshe, e gratë me dimi, jelekë dhe shami në kokë. Më pas u hipën mushkave dhe kuajve, ecën për 36 orë, dhe u strehuan në shtëpinë tonë në Krujë, ku i pritën gjyshja dhe gjyshi im”, tregon Fatmiri.
Certifikata e mirënjohjes nga Izraeli për Refik Veselin.
Shtëpia e tyre ishte rrëzë malit të Krujës dhe Fatmiri thotë se pranë kishin një shpellë, ku, për shkak të temperaturave të ulëta brenda saj, familja e tij ruante zahiretë.
Por, me situatën e krijuar dhe për të ruajtur besën e dhënë për mbrojtjen e hebrenjve, shpella u kthye edhe në vendstrehim për ta.
“Babai më ka treguar një rast, kur një ushtari gjerman i kishte humbur arma dhe në Krujë nisën kontrolle në çdo shtëpi. Tri familjet që ne strehonim, por edhe dhjetëra hebrenj të tjerë, që ndodheshin në Krujë, sepse edhe familje të tjera i kishin strehuar, u fshehën në atë shpellë. Kjo përsëritej sa herë që merrej vesh se në qytet kishte kontrolle”, tregon Fatmiri.
Ai thotë se babai i tij ka tentuar dy herë t’i shoqëronte miqtë e tij nga Kruja drejt Shkodrës, pasi Moshe Mandil dëshironte të shkonte në Jugosllavinë e atëhershme, ku kishte pjesën tjetër të familjes, porse ka qenë e pamundur.
Tentimi i parë i familjes hebraike për t’u larguar nga Shqipëria drejt ish-Jugosllavisë, por sërish u kthyen në Shkodër.
Madje, në tentativën e dytë, çifti hebre i kishte besuar dy fëmijët familjes së Fatmirit, duke i kërkuar të kujdesej për ta, nëse do të binin në duart e nazistëve.
Fatmiri thotë se tri familjet hebraike qëndruan në shtëpinë e tyre deri pas çlirimit të vendit më 1944.
“Në fotografitë që im atë i ka ruajtur si gjënë më të shtrenjtë, tregohet se si kanë jetuar të gjithë bashkë, si një familje e madhe. Mes varfërisë dhe vështirësive të mëdha, dyert e shtëpisë sonë në Krujë kanë qenë të hapura për hebrenjtë, të cilët vishnin rrobat krutane, jetonin si ne, flinin shtruar përtokë, se shtëpia ishte e vogël, e hanin çfarë gjendej në sofër”, thotë Fatmiri, krenar për sakrificën dhe bujarinë e familjes së tij.