Bulliqi sfidon Qeveritë e Malit të Zi dhe Kosovës për një dokumentacion kadastral (Video)

21:42 | 13 Korrik 2016

Shpejtim Bulliqi

 “Mustafa duhet ta dijë se në politikë duhet të mbështetësh në fakte shkencore”, ka thënë Shpejtim Bulliqi, deputet i LDK’së, i ftuar në emisionin ‘Rrokum Roll’ në televizionin Rrokum.

Deputeti Bulliqi ka thënë se në krejt këtë kohë kur është diskutuar për Demarkacionin, dikush duhet të ketë të drejtë.

“Dikush nga oponentët që janë marrë me këtë problematikë, ka të drejtë, dikush i ka këto fakte”, ka thënë ai.

Bulliqi ka thënë në vazhdim se “në vitin 1945 në Jugosllavinë e atëhershme është bërë një ndarje  e kufijve mes njësive republikane të asaj kohe dhe është udhëhequr nga një njohës i mirë, Milovan Djilas”.

Ai vazhdon duke thënë se krejt aktet tjera më vonë janë mbështetur në këtë Delimitacion të vitit 1945.

“Këtë e tregon edhe vet Kushtetua e Malit te Zi, e cila e definon qartë se cili është territori i Malit te Zi”, ka sqaruar Bulliqi.

Derisa ai ka thënë se Kushtetua e Republikës së Kosovës nuk e definon kufirin e saktë.

“Kufiri i Kosovës me kufirin e Malit te Zi ka qenë kufi republikan, në mes të Serbisë dhe Malit të Zi”, thotë ai.

Bulliqi ka vazhduar duke bërë një sfidim publik.

“Unë parashtroj një pyetje publike: Komisoni Shtetëror le të na ofrojë një dokument kadastral zyrtar, qoftë të vitit 1980, të Kosovës e Malit te Zi dhe të shohim a po përputhen, por ata nuk e kanë”.

Ai ma tej ka thënë se ndryshimi i vetëm i kufijve ka qenë në vitet 50, kur Kosovës u janë bashkëngjitë Leshaku e Leposaviçi dhe Serbia ka marrë Luginën e Preshevës, që ka qenë politikë e Serbisë me ndryshuar demografinë e popullsisë.

Bulliqi ka thënë se krejt hartat topografike nëpër vite në histori japin shumë mirë kufirin mes Kosovës e Malit te Zi.

Mulliqi ka sqaruar edhe diçka tjetër. Ai ka thënë se “puna e parë që duhet të bëjë komisioni shtetëror është të dalë e të sqarojë nëse e ka pasur  detyrë ta bëjë Demarkacionin, pra ta bëjë shënimin e vijës kufitare, me i vendosur  pikat që kanë ekzistuar.  Këta e kanë lënë Demarkacionin dhe kanë bërë Delimitacion me vetëm një kriter, atë kadastral”.

Ai duke folur për propozimin e tij, për debat për këtë çështje, ka shtuar: “Nëse na ofrojnë fakte, ne kërkojmë falje publike, sepse e kemi maltretuar  opinioin publik”.