Buffon dhe efekti Conte

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon ka bërë të ditur se do të kishte përfunduar në Romë, nëse Antonio Conte nuk do të ishte në drejtim të gjigantit torinez. Por, ai është i lumtur me qëndrimin e tij në klub.

Sport

16/04/2014 09:42

E konsideruan si të përfunduar por edhe njëherë tjetër, Gianluigi Buffon ka konfirmuar se përveç se është portieri më i mirë italian, vazhdon të jetë një prej më të mirëvë në botë.

Paraqitjet e tij në portën e Juventusit, magjitë e Andrea Pirlos dhe golat nga Carlos Tevez e Fernando Llorente e kanë udhëhequr ekipin drejt Scudettos së tretë të njëpasnjëshme.

Mirëpo, gjatë një interviste për Sky, Buffon ka zbuluar se sot mund të mos ishte më në Juventus, nëse Antonio Conte nuk do të emërohej trajner i Bianconerëve.

“Pa Conten do të shkoja në Romë. Por, nuk mund të them se jam penduar derisa shikoj se si shkoi tregimi i mëtutjeshëm me Juventusin”.

“Pendimet vijnë pas vendimeve që dalin të dështuara. Vendimi im për të mbetur në Juventus, një klub legjendar, nuk mund të më krijoj pendime”, shtoi ai.

“Pas disa edicioneve të dobëta që më rëndonin kokën mua dhe tifozëve, qarkullonte një dëshirë për ndërrim të ambientit. Kurse, tani që jemi rrugës drejt Scudettos së tretë të njëpasnjëshëm, sigurisht se nuk mund të pendohem për vendimin tim”, u shpreh Buffon.