Brukseli do të kontrollojë eksportin e vaksinave jashtë BE-së

Brukseli do të krijojë një mekanizëm për të kontrolluar dërgesat jashtë BE-së të vaksinave kundër COVID-19 që janë prodhuar dhe ndalon eksportet jo legjitime, theksuan sot zyrtarët europianë, në sfondin e polemikave me laboratorin AstraZeneca.

Bota

28/01/2021 21:12

Ky mekanizëm transparence dhe autorizimi për eksportet, që do të miratohet të premten nga Komisioni Europian, është një masë urgjente, theksuan zyrtarët përpara shtypit.

Ai do të mundësojë marrjen e informacioneve për eksportin jashtë bllokut të vaksinave kundër COVID-19, prodhuar në uzinat e lokalizuara në BE, një prej rajoneve kryesore prodhuese të vaksinës në botë, raporton ATSh.

Praktikisht, kompanitë që dëshirojnë të dërgojnë vaksina jashtë Bashkimit Europian do të duhet të kontakojnë autoritetet e shteteve anëtare ku ndodhet uzina me qëllim për të marrë dritën e gjelbër, e cila në parim duhet të jepet brenda disa minutash”, theksoi një zyrtar i lartë europian.

Përjashtime, veçanërisht për dërgesat për shkaqe humanitare, janë parashikuar.

Ky mekanizëm bazohet në një rregullore europiane që BE kishte përdorur tashmë vitin e kaluar për të rregulluar eksportet e pajisjeve mjekësore. Brukseli siguron që të jetë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).

“Pasi Komisioni ka investuar shumë për të ndihmuar laboratorët për të zhvilluar vaksinat dhe për të rritur kapacitetet e tyre, ky kontroll është diçka që u detyrohemi qytetarëve (…) ndaj taksapaguesve”, nënvizoi një zyrtar.

Njoftimi, megjithatë, vjen në një kohë tensionesh mes BE-së dhe laboratorit suedez-britanik AstraZeneca, i cili ka njoftuar uljen drastike të dërgesave të vaksinave për 27 vendet e BE-së për shkak të një problemi “rendimenti” në një qendër europiane prodhimi.