Brenda dy jave si shkak i mungesës së përkthyesit dështojnë të mbahen 16 seanca në Gjykatën e Kamenicës
Brenda dy jave kanë dështuar të mbahen 16 seanca gjyqësore në lëminë penale dhe civile në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.
Lajme
Kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së përkthyesit të vetëm të kësaj gjykate, Musa Ahmetaj.
Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar mbikëqyrësi i gjykatës, Sadri Krasniqi.
Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe dy javore përkthyesi Ahmetaj ka qenë në pushim mjekësor, dhe në mungesë të përkthimit shumë seanca gjyqësore janë shtyrë, gjegjësisht për periudhën kohore 15 – 26 mars të këtij viti janë shtyrë 16 seanca në lëminë penale dhe civile.
“Gjatë kësaj periudhe janë shtyrë 16 seanca në lëminë penale dhe civile. Tash e sa kohë kemi problem të madh për përkthyes, pasi e kemi vetëm një. Gjyqtarët dhe palët janë të nacionaliteteve të ndryshme dhe kështu përkthimi për gjykatën tonë është bërë një sfidë e madhe. Disa herë kemi bërë kërkesa për punësimit e së paku edhe të një përkthyesi, por deri tash asgjë nuk ka ndryshuar”, ka thënë mbikëqyrësi Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, ai ka thënë se seancat në kundërvajtje ai dhe gjykatësja tjetër Valbonë Dërvodeli në këtë periudhë kohore i kanë mbajtur pa përkthyes, meqenëse e njohin gjuhën serbe, por që ato penale dhe civile nuk kanë mundur t’i mbajnë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, ndër vite po përballet me mungesën e nevojshme të përkthyesve, pasi në të punon vetëm një përkthyes, kurse palët janë të nacionaliteteve shqiptare dhe serbe në shumicën dërmuese të rasteve, si dhe në të punon edhe një gjykatëse serbe.