BQK-ja tregon a vlen pezullimi i kredive edhe për IuteCredit dhe Monego
Banka Qendrore e Kosovës së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, të ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë.
Lajme
Mirëpo, a vlen kjo edhe për dy institucionet kredi dhënëse që tashme janë të mbyllura nga BQK-ja, IuteCredit dhe Monego?
Shumë qytetarë akoma janë në kredi të këto dy institucione që javë më parë u mbyllen.
V.V , një qytetare e cila është kredi marrës në Monego nuk ka të qartë nëse vendimi i BQK-së vlen edhe për institucionin që tashmë është i mbyllur, ku ajo ka marr kredinë kohë më parë. Thotë se në këtë institucion i kanë thënë se duhet ta paguaj këstin e kredisë, ashtu siç e ka bërë pagesën deri më tani.
“Jam një kliente ne Monego kredi marrëse. Kam kredinë me këste me pagu. Nuk po mund ta bëjë pagesën shkaku qe kam ble gjëra ushqimore për ketë gjendje që jem me koronavirusin, a vlen kjo edhe për Monegon që të shtyhen këstet, apo jo, pasi bëra thirrje ne Monego më thanë që duhesh me kry obligimin që e ke. Ne nuk kemi tolerime”, tha V.V për lajmi.net.
Por, në QBK kanë thënë se vendimi i marrë për pezullim të kësteve të kredive vlen për të gjitha institucionet kredidhënëse në Kosovë, përfshirë këtu edhe IuteCredit dhe Monego.
“Pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe individët, të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, vlen për të gjitha institucionet kredi dhënëse në Kosovë”, tha për lajmi.net , Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.
Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi Covid-19, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë masa adekuate lidhur me funksionimin normal të sistemit financiar.
BQK-ja së bashku me SHBK-në kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, të iu mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë.
Sipas BQK-së, pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmoj klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar. Kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore, duhet të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesën për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë. Në rastet e aprovimit nga ana e bankës, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë.
Gjatë kësaj periudhe, ndaj kredimarrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor. Në rrethanat e tilla, me rastin e pezullimit të pagesave të kredive, BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në Regjistrin e Kredive. /Lajmi.net/