BQK-ja themeloi një organ të përhershëm për monedhat virtuale

Në vazhdën e angazhimeve vlerësuese dhe paralajmëruese të BQK-së lidhur me dukurinë e parave virtuale, Bordi Ekzekutiv i BQK-së në mbledhjen e mbajtur më 26 shkurt 2018 ka themeluar një organ të përhershëm për vlerësimin dhe adresimin e sfidave rregullative lidhur me paratë virtuale.

Auto & Tek

27/02/2018 15:30

Banka Qendrore e Kosovës, ka njoftuar se ky organ i strukturuar në formën e një grupi këshillues do të përcjellë dhe analizojë zhvillimet ndërkombëtare për rregullimin e parave virtuale, me fokus në trajtimin e tyre nga rregullatorët në vendet e BE-së dhe vendet e rajonit, si dhe do të përgatisë rekomandime për organet vendimmarrëse të BQK-së lidhur me hapat e mëtejmë në funksion të rregullimit të parave virtuale.

“BQK-ja ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në adresimin e çështjeve të lidhura me paratë virtuale, duke analizuar zhvillimet relevante, duke kontaktuar autoritetet përgjegjëse në vendet evropiane, si dhe duke komunikuar me publikun qoftë përmes komunikatave të veçanta, qoftë përmes deklaratave dhe prononcimeve të zyrtarëve të saj”, ka njoftuar BQK-ja.

BQK-ja, thotë se vazhdon t’ua tërheqë vëmendjen subjekteve vendore lidhur me rreziqet për humbjet financiare që mund t’i pësojnë nga investimi në para virtuale, si dhe lidhur me implikimet e tjera të mundshme. /Lajmi.net/